Pse Unaza e Madhe është një projekt me probleme? Kjo ka qenë tema e diskutimit në intervistën e ekspertit rrugor Artur Sulçe me gazetaren e Fax News Mirilda Tili.
Sulçe u shpreh se me këtë projekt janë kryer një sërë shkeljesh, dhe se e gjithë kostoja është e fryrë. Sipas tij rruga nuk ka nevojë që të ketë katër korsi sa kohë që nuk ka aq shumë volum mjetesh në rrugë, e ndihmuar kjo dhe nga akset e tjera rrugore që janë në proces ndërtimi.
Ligji parashikon që projektet të futen në garë, mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur në rastin e Unazës së Madhe.
‘’Përpara se të bëhet një projekt duhet të merret mendimi dhe i masave që mund të preken, duhej diskutuar me të gjithë banorët e zonës, përmes dëgjesave publike, njësoj si në rastin e Kukësit. Pra shohim që po bëhet një rrugë, dhe në mënyrë absolute nuk janë dëgjuar njerëzit.
Elementi i dytë që dua të theksoj është se ky projekt është dhënë falas nga dikush, shtrohet problemi: Një VKM e qeverisë shqiptare kërkon një auditim të projektit? Kush e ka bërë matjen nëse ndërhyrja te Shqiponja do të japë rezultatë, jepen vetëm sekuenca.
Cili është numri i mjeteve, çfarë trafiku do shkarkojë ky aks? Pse duhet që të jetë me katër korsi dhe jo me tre, kur ne e dimë që aksi Thumanë Kashar me PPP-në, do shmangë një pjesë shumë të madhe të trafikut. Pika e dytë, nëse do të bëhet pjesa e Unazës së Paskuqanit me Freskun, atëherë ikën një pjesë tjetër e mjeteve.
Nëse flasim për këtë numër mjetesh e konstatojmë që nuk bëhet fjalë për një numër të tillë mjetesh që na është paraqitur. Nuk dua të gjykoj nivelin e projektit, nëse do shikoj mbikalimin te Shqiponja me tre kate, personalisht kisha vënë një mbikalim dy kate dhe me kosto më të ulëta dhe me pika të konfliktit më të vogla se ky që është sot.
Ky mbikalim që po kërkojnë të bëjnë sot është i ngjashëm me atë që është bërë më herët te Pallati me Shigjeta, kam përshtypjen se do të ndoshin përmbytje, për shkak se është nën nivel. Mbajeni mend se do të bëhet identik si në Lezhë, ku ka pellgje ujë, dhe mjetet nuk do të kalojnë aty. Ai që ka bërë projektin është profesionist, dhe mund të nxjerrë diçka më të mirë.
Ai që ka bërë projektin është mentor i kreut të ARRSH-së, kush është ai që bën gjithë atë projekt falas? Qoftë projektimi, qoftë supervizimi, qoftë kolaudimi duhet që të tenderohen. Kreu i ARRSH-së humbet detyrat e tij politike në rast se hap garë, pasi do fitonte një projekt me kosto më të vogël. Në këtë vend tenderohen dhe automjete me kosto shumë të vogël, si nuk u tenderokan projekte të një niveli të tillë?!”, u shpreh Sulçe.
Eksperti vijoi më tej duke thënë se me banorët duhej gjetur gjuha e përbashkët dhe duhej shmangurr çdo element dhune, ndërsa ka shtuar dhe mundësinë e bërjes me pagesë të kalimit në Unazë.
“Duke përdorur forcën mbi banorët, përgjigja që do të marrësh është e njëjtë. Janë shumë aksee rrugore që do të shfryjnë trafikun dhe do të ulnin koston e ndërtimit të Unazës së Madhe.
Unë nuk kam parë asnjë vend që të ketë kufizime për kalimet në unazat urbane, por fillimisht duhesh që të kesh zgjidhur problemin e parkimit për të gjithë qytetarët, ose duhet të modernizosh sistemin urban të vendit. Këtu te ne është skandal që nuk ndodh në asnjë vend të botës, pasi ka trafik dhe ditëve të shtuna dhe të diela”, u shpreh më tej Sulçe.
(E.K/FAXWEB.AL)