Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa në ‘’Fax News” ka komentuar tarifën e vendosur nga qeveria për kalimin në ‘’Rrugën e Kombit”.
Xhepa u shpreh se shifra 10 euro për vajtje-ardhje është shumë e lartë, edhe pse në parim nuk është kundër një tarife simbolike, për të ruajtur asetet kombëtare.
Po ashtu Xhepa e konsideroi joligjore faktin se monedha e pagimit të tarifës të ishte në euro, sa kohë që monedha kombëtare e jona është në lekë.
‘’Monedha me të cilën është vendosur që të paguhet është joligjore, pra monedha duhet që të jetë detyrimisht në lekë, dhe për persona të tjerë, që mund të jenë turistë, le të jetë në euro.
Unë mendoj se për Rrugën e Kombit ka ardhur momenti që duhet ta vëmë këtë taksë në mënyrë që të mbajmë asetin që kemi krijuar. Por ama qytetarët paguajnë taksa, që mund të përdoren për të drejtën universale të rrugëve. Autostradat që janë në botë ofrojnë disa kushte që nuk mund ta ofrojnë rrugët që ka ndërtuar shteti.
Për të kaluar në Rrugën Durrës-Kukës nuk ka asnjë mundësi tjetër kalimi, ndërsa akoma nuk mund të konsiderohet e përfunduar. Pra ne nuk kemi një sistem autostradial. Ata që duan të kalojnë në kushte më të mira le të paguajnë një taksë shtesë. Nëse kalon Kukësin rruga pëson një sërë devijimesh.
Unë kam ndjekur me shumë kujdes atë që thonë qytetarët e Kosovës, një tarifë me dy euro do të ishte mëse e pranueshme. Të mos e harrojmë se një pjesë e mirë e qytetarëve të Kosovës kanë blerë një shtëpi në bregdet, dhe ata vijnë çdo javë, dhe një tarifë prej 40 eurosh në muaj është shumë e përballueshme.
Përmes kësaj rruge tregëtia mes Kosovës dhe Shqipërisë ka pasur një rritje të konsiderueshme, duke u zhvendosur nga Maqedonia drejt Shqipërisë. Vendi ynë ka përfituar mjaft, biznesi është i detyruar që të paguajë, sa kohë që paguajnë qytetarët.
Ne nuk kemi një vlerësim sesa të ardhura merr ekonomia shqiptare, nga tranziti i bizneseve që operojnë në Kosovë. Ekonomia gjeneron nga tranzitimi i këtyre të ardhurave. Duhet thënë se meqënse është aktivitet që është gjithnjë në rritje, do të thotë që rruga i ka dhënë jetë një procesi margjinalizimi që ka ekzistuar më herët”, u shpreh Xhepa.
(E.K/FAXWEB)