Pas vndimit të Gjykatës së Dubrovnikut për të ekstraduar Ismail Morinën (Ballisti) në Serbi për shkak të ngritjes së dronit në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ka reaguar dhe Federata Shqiptare e Futbollit.
FSHF bën thirrje të hapur autoriteteve përkatëse dhe institucioneve që të ndërhyjnë brenda kornizës ligjore për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi.
Vetë FSHF bën me dije se ka vendosur kontakte me autoritetet shqiptare për të shfrytëzuar çdo hapësirë ligjore për të zgjidhur këtë problem.
REAGIMI I FSHF-së:
FSHF e angazhuar për zgjidhjen e çështjes Morina!
FSHF reagon publikisht dhe i bën thirrje të hapur autoriteteve përkatëse dhe institucioneve që të ndërhyjnë brenda kornizës ligjore për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi. Menjëherë pas publikimit në media të lajmit për vendimmarrjen e Gjykatës së Dubrovnikut në Kroaci për Ismail Morinën, i ndaluar ditë më parë, FSHF ka nisur menjëherë edhe interesimin e saj të drejtpërdrejtë për ti dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë këtij problemi shumë të ndjeshëm për tifozët dhe shqiptarët kudo qe ndodhen.
FSHF është plotësisht e angazhuar ti shkojë deri në fund një cështjeje të tillë, duke shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe hapësirat e saj institucionale dhe diplomatike për të riparë edhe një herë këtë rast. FSHF është duke u marrë intensivisht me këtë problem, duke siguruar vetë Ismail Morinën, familjen, por edhe të gjithë tifozët shqiptarë që do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i jepen në mënyrë që një dicka e tillë të mos realizohet dhe ku hapësira ligjore ankimuese në Apel të mundësojë edhe abrogimin e vendimit të Shkallës së Parë. Ndërkaq, Federata ka nisur menjëherë kontaktet edhe me autoritetet shqiptare për të parë dhe operuar çdo mundësi që ekziston deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit, në mosekstradimin e tij drejt Serbisë.(B.H/Shuplaka)