Vendimi i qeverisë shqiptare për të dëbuar një mësues turk, anëtar i lëvizjes gyleniste është gjykuar ashpër eurodeputetja rumune Ramona Strugariu.
Kjo e fundit reagoi menjëherë duke kritikuar qeverinë shqiptare përmes një statusi në Twitter.
Ajo i kujton kryeministrit Rama ligjin dhe i kërkon të mos e ekstradojë Harun Celikun në Turqi.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.
Neni në fjalë thotë: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese.”
Partia Demokratike kërkoi dje nga ana e qeverisë transparemncë për këtë çështje, pasi deportimi i mësuesit turk, bie ndesh me respektimin e të drejtave të njeriut, dhe konventave ndërkombëtare që i ka pranuar edhe Shqipëria.
“Ndërsa mediat po raportojnë me shqetësim për një ekstradim të një qytetari turk sipas tyre në shkelje të ligjit, nuk ka asnjë sqarim të institucioneve shtetërore për këtë ngjarje.
Heshtja dhe zgjedhja e datës 1 Janar për këtë veprim na detyrojnë të kërkojmë trasparencë të menjëhershme për çfarë po ndodh, dhe përgjigje nëse veprimet e autoriteteve janë në përputhje me ligjet në fuqi, konventat ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut?
Është prioritare për çdo vend demokratik, veçanërisht në procesin e integrimit europian, të respektojë këto parime, të drejta e detyrime. Shkelja e tyre është kthyer në rregull për qeverinë e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës”, ka shkruar Partia Demokratike.
Nga ana e qeverisë shqiptare apo policisë nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me këtë ngjarje, ndërsa akuzat bienë në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe lidhjes së tij me presidentin turk Erdogan.
(E.K/Faxweb.al)