Ditën e djeshme nën masa të rrepta sigurie u ekstradua nga Turqia Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës.
Pas qëndrimit prej disa vitesh në Turqi, Haxhia ka paralajmëruar se me kthimin e tij do të rihapet dosja Azem Hajdari, për vrasjen e të cilit vetë ai është dënuar me 25 vite burg.
Ndërkohë Haxhia ka hedhur akuza të forta dhe në drejtim të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke thënë se ai ishte në dijeni të atentatit ndaj Azem Hajdarit.
Po çfarë mendon vetë Berisha në lidhje me akuzat e forta të Haxhisë? Po kryeministri Rama a është dakord me akuzat, dhe pse ka ndodhur pikërisht tani ekstradimi i tij nga Turqia?
Këtyre përgjigjeve Rama dhe Berisha u janë përgjigjur dje në dy studio të ndryshme televizive. Berisha ka thënë se Haxhia është kthyer në Shqipëri vetëm për t’u përdorur nga Edi Rama, ndërsa e cilëson atë si një kriminel.
“Kriminel, i dënuar në Shqipëri për 25 vite burg dhe sipas mediave, i dënuar në Greqi me burgim të përjetshëm. Por vjen tani në krahët e Edi Ramës. E mori Edi Rama. A i lexove lajmet. Lajmet thonë që ministria e Drejtësisë ka premtuar hapjen e çështjes.
Ministria nuk mund të premtojë kurrë hapje çështjesh. Çështjet i hap vetëm drejtësia. Nuk është lapsus ajo deklaratë mediatike, ata thejsht nxorrën fytyrën e tyre. Vjen një tjetër vrasës në krahët e Edi Ramës. Njësoj si Dajti, Lul Berisha dhe ata të tjerët. Sepse Rama është një kryefrikacak që ka frikë nga hija e vet!” – tha ish-kryeministri Berisha dje përballë gazetarit Artur Zheji.
Berisha shtoi gjithashtu se Izet Haxhia duhet të marrë në përputhje me ligjin dënim suplementar sepse i ka ikur dënimit në vendin e tij për 19 vite.
Nga ana tjetër një përgjigje për këtë ka pasur dhe Rama, i cili ka thënë se Haxhia nuk punon për interesin e tij.
“Çfarë mund të them unë për këtë rast. Na del që unë jam e gjithë e keqja e këtij vendi edhe në rastin e Izet Haxhisë, ndërsa Sali Berisha, një njeri që populli e largoi nga puna me një milionë shuplaka, rezulton të jetë një njeri i pastër qelibar”, deklaroi Rama.
Kryeministri mohoi të ketë ndikuar te Erdogan për ekstradimin e Izet Haxhisë në Shqipëri, ndërsa shtoi se është tërësisht jashtë kësaj çështjeje, që tashmë i takon drejtësisë.
“Është tërësisht qesharake për t’u menduar që unë mund të investohem për të sjellë në Shqipëri nëj person, që nuk e shoh që prej vitit 1992. Për fat të mirë që nuk ka qenë badigardi im. Unë jam tërësisht jashtë kësaj çështjeje, pasi i përket drejtësisë. Ai person, nëse ka diçka për të vërtetuar, le ta bëjë, ndërsa nëse i ka pasur vetëm fjalë, të heshtë”, u shpreh Rama.
(E.K/FAXWEB.AL)