Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Drejtorisë së Interpolit dhe autoriteteve homologe ndërkombëtare, është bërë i mundur arrestimi dhe ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Marinel Demiri, 39 vjeç, banues në Pojan, Korçë.
Demiri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e kishte dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Nga ky dënim, atij i mbeten për të vuajtur edhe 4 vjet, 5 muaj e 18 ditë burgim.
Sipas hetimeve, ai rezulton të jetë përfshirë në një konflikt me sende të forta në fshatin Pojan, ku humbi jetën shtetasi A. Z., 75 vjeç, i cili kishte ndërhyrë për të ndihmuar djalin e tij gjatë një përplasjeje me disa të rinj.
Procedurat për dorëzimin e tij te autoritetet shqiptare janë ndjekur nga Interpoli Tiranë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet greke.