Vrasësi portugez i biznesmenit Ardian Nikulaj, ka mbërritur në Tiranë paraditen e kësaj të diele duke përmbyllur kështu ekstradimin nga Maroku. Vënia përpara drejtësisë shqiptare u bë 7 muaj pas arrestimit të tij.
Operacioni për ekstradimin e portugezit u finalizua nga Interpol Tirana, e cila prej disa ditësh kishte dërguar në Marok një grup oficerësh për të përmbyllur detajet e fundit.
Për vrasjen e Ardian Nikulajt më 19 Prill në Lezhë, janë vënë në pranga në Britani dhe 3 shtetas anglez si dhe Edmond Haxhia i akuzuar si porositës i ngjarjes.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi pas ekstradimit nga Maroku të Ruben Saraiva:
Falë mbështetjes së fortë të Interpol me të cilët po punojmë çdo ditë për gjetjen e personave në kërkim si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese të Marokut, sapo u përmbyll në Aeroportin “Nënë Tereza” ekstradimi i shtetasit Ruben Ribeiro Saraiva, person i kërkuar nga drejtësia shqiptare si i dyshuar për një krim të rëndë. Realizimi i këtij ekstradimi, edhe pse me Mbretërinë e Marokut nuk e kemi një marrëveshje ekstradimi, na ka krijuar tashmë eksperiencën por edhe besimin të vijojmë përpjekjet tona për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera.
Përgëzime Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Interpol Tirana dhe djemve të palodhur të RENEA për realizimin e 78 ekstradimeve drejt Shqipërisë gjatë këtij viti që përmbyllim sot. Pres më shumë në Vitin e Ri 2024!