Policia në Ekuador ka arrestuar sërish të arratisurin më të kërkuar në vend, kriminelin famëkeq Adolfo Macías Villamar, i njohur si “Fito”, udhëheqës i bandës së fuqishme kriminale Los Choneros. Ai akuzohet për transformimin e Ekuadorit nga një destinacion turistik në një prej vendeve me shkallën më të lartë të vrasjeve në rajon.
Fito u lokalizua në një bunker të nëndheshëm, nën një vilë luksoze në qytetin bregdetar të Mantës. Operacioni zgjati 10 orë dhe u krye nga forcat speciale të policisë dhe ushtrisë, pa shkrehur asnjë plumb. Oficerët zbuluan një derë të fshehtë në dyshemenë prej guri, që çonte në bunkerin ku fshihej Adolfo Macías Villamar.
Sipas autoriteteve, Fito nuk bëri rezistencë gjatë arrestimit. Ai u transferua me helikopter në qytetin e Guayaquil dhe u dërgua në burgun me siguri të lartë La Roca.
Presidenti ekuadorian Daniel Noboa përgëzoi forcat e sigurisë dhe njoftoi se Fito do të ekstradohet në SHBA, ku përballet me akuza për trafik ndërkombëtar kokaine. Fito ishte arratisur nga burgu La Regional në janar 2024 me ndihmën e të paktën dy rojeve, çka shkaktoi trazira të dhunshme në burgje dhe një gjendje emergjente në vend.
Para arratisjes, Fito konsiderohej tashmë një figurë kyçe e krimit në Ekuador. Ai kishte arritur të udhëhiqte Los Choneros që nga qelia, duke bashkëpunuar me kartelin e fuqishëm meksikan Sinaloa, duke sjellë në Ekuador brutalitetin e njohur të tyre si prerjet e kokave dhe gjymtimet.
Fito dyshohet gjithashtu si porositësi i vrasjes së kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në vitin 2023, disa ditë para zgjedhjeve.
Kapja e tij konsiderohet një fitore për presidentin Noboa, i cili u zgjodh me premtimin për të rikthyer kontrollin ndaj bandave. “Më shumë baronë droge do të bien, do ta rimarrim vendin”, deklaroi ai në rrjetin X.