Vladimir (Valmir) Kolën, i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Briken Sanajt, është ekstraduar nga Gjermania. 42-vjeçari u arrestua në Gjermani në muajin prill 2024 pasi akuzohet për ekzekutimin e Briken Sanajt, krim i ndodhur më 30 tetor 2022, në kompleksin “Kodra e Diellit”.
Ndaj tij, Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 23 nëntor 2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Vladimir (Valmir) Kola dyshohet se, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri Briken Sanajn për hakmarrje.
Njoftimi i policisë:
Interpol Tirana
I akuzuar për vrasje me paramendim, në vitin 2022, ekstradohet nga Gjermania, 42-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
42-vjeçari u arrestua në Gjermani, në muajin prill 2024, gjatë operacionit të koduar “Versus”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe homologëve gjermanë.
Në kuadër të bashkëpunimit të Interpol Tiranës, me Interpol Wiesbaden, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri, shtetasi:
V. K. alias V. K., 42 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 23.11.2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 30.10.2022, në kompleksin “Kodra e Diellit”, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin B. S.
Vladimir Kola udhëtoi nga Barcelona për kryerjen e krimit
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgoi në gjyq Vladimir (Valmir) Kolën, të dyshuarin kryesor për ekzekutimin e Briken Sanajt, si edhe 4 të pandehurit e tjerë.
Ndaj Vladimir Kolës është ngritur akuza për ‘Vrasje me paramendim’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve’, ndërsa për 4 të pandehurit e tjerë, Gjelosh Krasniqi, Kened Antoni, si edhe shtetasit me iniciale E.H., dhe Z.K. për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ e ‘Përkrahje të autorit të krimit’.
Krimi i rëndë në kompleksin ‘Kodra e Diellit’ tronditi Tiranën mbrëmjen e 30 Tetorit 2022.
Sipas organit të akuzës, vëllai i Briken Sanajt është konfliktuar në vitin 2012 me vëllezërit e Vladimir (Valmir) Kola, pasi i kanë ngacmuar të fejuarën.
Nga hetimet ka rezultuar se atentatori ka udhëtuar nga Barcelona në drejtim të Aeroportit të Podgoricës dhe ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme pa u regjistruar në pikën e kontrollit.
Më pas Vladimir (Valmir) Kola ka blerë një automjet duke përdorur targat e një makine tjetër, që pas vrasjes së Briken Sanajt u gjetur e djegur në fshatin Domje.
Brenda automjet u gjet edhe arma e krimit, ndërsa autori ka kaluar sërish në Mal të Zi në mënyrë të paligjshme.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasin V.K., për ‘Vrasje me paramendim’ tek kompleksi ‘Kodra e Diellit’ dhe katër të pandehur të tjerë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq për ‘Vrasje me paramendim’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve’ shtetasin V.K. për vrasjen e shtetasit B.S. në kompleksin ‘Kodra e Diellit’ më 30.10.2022.
Po kështu, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq dhe katër shtetasit e tjerë, Gj.K., K.A., E.H., dhe Z.K. për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ e ‘Përkrahje të autorit të krimit’.
Nga hetimet e procedimit penal nr.7911, 2024 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi se vëllai i viktimës në vitin 2012 është konfliktuar me vëllezërit e autorit, pasi i kanë ngacmuar të fejuarën.
Në përfundim të hetimeve mbi ngjarjen e tetorit 2022 ku shtetasi B.S. u qëllua me armë zjarri, këqyrjes së kamerave, vendit të ngjarjes dhe administrimit të aktekspertimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, arriti në konkluzionin se i pandehuri V.K., ka udhëtuar nga Barcelona në drejtim të Aeroportit të Podgoricës dhe ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme pa u regjistruar në pikën e kontrollit.
Pas kësaj ai ka blerë një automjet duke përdorur target e një mjeti tjetër, i cili pas vrasjes së shtetasit B.S. është gjetur i djegur në fshatin Domje. Brenda tij është gjetur arma e krimit, ndërsa autori ka kaluar sërish në Mal të Zi në mënyrë të paligjshme.
Sa më sipër, prokuroria kërkon dërgimin në gjyq për të pestë të pandehurit.
ARRESTIMI I VLADIMIR (VALMIR) KOLËS
41-vjeçari me dy emra Vladimir (Valmir) Kola u lokalizua në qytetin Gelsenkirchen dhe u vendos në pranga më 27 prill 2024 më qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Vladimir Kola ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Tiranës më 23 nëntor 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
“Më datë 30.10.2022, në zonën e quajtur “Kodra e Diellit”, shtetasi V.(V.) K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin B. S”, informuan blutë.
SI U PËRGATIT ATENTATI
Policia e Tiranës sqaroi 1 muaj pas krimit se shtetasi nga Peja, Kened Antoni, i ka shitur automjetin Gjelosh Krasniqit. Më pas, automjeti ka hyrë në territorin e Shqipërisë.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2022, ka rezultuar se shtetasi kosovar Kened Antoni i ka shitur automjetin shtetasit tjetër kosovar Gjelosh Krasniqi, më datë 24.10.2022, dhe po në këtë datë, këta shtetas e kanë futur këtë automjet në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion shtetasit Vladimir (Valmir) Kola, i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së shtetasit Briken Sanaj. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, së bashku me armën e krimit”, njoftuan blutë e kryeqytetit.
Briken Sanaj u ekzekutua me tre plumba kallashnikovi fare pranë banesës së tij në lagjen “Kodra e Diellit” në kryeqytet më 30 tetor 2022. Autori e priti derisa ai po kthehej nga një gëzim familjar në qytetin e Lezhës.
Ai paraqitej në rezidencë me emrin e kushëririt të tij, i cili u martua po atë ditë. Briken Sanaj, që në vogëli njihej me emrin Skerdilajd, ishte kthyer nga Italia pak kohë para se të ekzekutohej.
Vëllai i viktimës, Antonio alias Renato Sanaj, plagosi 13 vite më parë Gentian Kolën, i cili prej asaj kohe mbeti invalid. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme.