Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-Ministër i Transportit dhe i Postë-Telekomunikacionit (2007 – 2010) Fatmir Limaj, do të dalë nesër para Gjykatës Themelore të Gjakovës nën aktakuzën për krime lufte, që lidhet me vrasjen e dy civilëve shqiptarë në Komunën e Malishevës.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ka ngritur aktakuzën ndaj Limajt lidhur me vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit ku më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Fatmir Limaj me cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për të parandaluar këto ekzekutime.
Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarrë masa drejt zbulimit të ekzekutuesve të këtij krimi, gjithashtu nuk e ka paraqitur rastin në fjalë tek organet kompetente për hetim dhe ndjekje.