Policia e shtetit ka ndaluar një person që dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e ish-policit Arben Bilali. Burime bëjnë me dije se është ndaluar 47-vjeçari me inicialet A.XH, pasi dyshohet se iu ka gjetu mjetin autorëve kryesorë të krimit, emrat e të cilëve mbeten ende mister.
A.XH ka precedentë të mëparshëm penalë, sipas burimeve policore.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve për zbardhjen, dokumentimin dhe arrestimin e autorëve të vrasjes së shtetasit A.B, në bazë të urdhërit të ndalimit të lëshuar nga Prokurori, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim A. T (Xh), 47 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kujtojmë se Bilali u ekzekutua në derën e banesës së tij në Serlitë në 30 Janar të këtij viti, ndërsa më herët në atentate ishin vrarë dhe dy vëllezër të tij.
Prej kohësh ai jetonte i ngujuar në banesë, po autorët duket se kishin studiuar çdo lëvizje të tij dhe e ekzekutuan sapo ai zbriti nga makina dhe po hynte në derën e shtëpisë.
Bujar Bilali mbeti i vrarë, dyshohet gabimisht, në vitin 1998, ndërsa Leonardi, vëllai i vogël i tij, ish-mundës i Dinamos, u ekzekutua më 10 gusht të vitit 2010 në të njëjtin vend ku u vra dje 50-vjeçari. Policia po heton prej muajsh në disa pista për vrasjen, por duket se kryesorja është ajo e hakmarrjes.
(E.K/FAXWEB.AL)