Ekzekutimi i tre biznesmenëve të ndërtimit në Durrës: Plaurent Cani, Xhemal Çela dhe Kujtim Dyrmishi, janë disa ndër vrasjet e mbetura pa autorë, dosje të cilat pritet të hapen sërish për hetim, bazuar nga indiciet e mundshme për identifikimin e autorëve.
Kujtim Dyrmishi u ekzekutua nga tre persona të maskuar, të cilët e qëlluan nga makina e tyre në momentin kur viktima do të zbriste nga mjeti i tij. Ngjarja e rëndë më 14 Qershor të vitit 2014, në segmentin Ura e Dajlanit-Plepa, te sektori “Iliria”, vetëm disa metra larg vendit ku 4 muaj më parë u vra në atentat me tritol në makinë ortaku i tij në biznes, Xhemal Çela.
Por nuk përjashtohen as pista të tjera, siç është hakmarrja për një vrasje të kryer nga vëllai i tij në Greqi, apo edhe larja e hesapeve.
VRASJA
Vrasja e biznesmenit me pesë plumba ditën e djeshme është kryer nga makina në makinë, në kohën kur 49- vjeçari ndaloi për të bërë pazar në një dyqan buzë rrugës. Autorët, të cilët duket se kanë qenë në ndjekje të tij, përfituan nga rasti dhe në momentin që ai po zbriste nga mjeti, ndalojnë paralel dhe hapin zjarr me dy automatikë tip “Skorpions” duke e lënë të vdekur në vend.
Breshëria e gjatë e armëve krijoi panik te kalimtarët dhe plazhistët, të cilët u përpoqën të largoheshin me shpejtësi në mënyrë që t’u shpëtonin plumbave. Autorët kanë qenë tre persona, të cilët lëviznin me një makinë tep “Benz” ngjyrë gri me xhama të zinj dhe me targa të Kosovës 01 20 EN.
Sipas dëshmive të dhëna në polici nga dëshmitarët, ata derdhën breshëri të gjatë automatiku në drejtim të Kujtim Dyrmishit, që ndodhej brenda makinës së tij tip “Benz” me targa italiane DP 411 VF, duke e lënë të vdekur në vend. Krimi u krye nga makina në makinë, por autorët nuk e kanë lënë me kaq.
Ata ishin të vendosur t’i merrnin jetën biznesmenit me origjinë nga Cërriku, ndaj për t’u siguruar që kishte ndërruar jetë, dy prej autorëve kanë zbritur nga mjeti duke e qëlluar për herë të dytë. Më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të Tiranës.
HETIMI
Për të zbardhur krimin e djeshëm, Policia e Durrësit ka vënë në dispozicion ekspertët e saj më të mirë të krimeve të rënda. Grupi hetimor po analizon provat paraprake të grumbulluara në vendin e ngjarjes, por edhe provat e siguruara në rrugë të tjera nga inspektorët e hetimit të krimit. Paraprakisht hetimorët janë fokusuar në katër pista, duke i vlerësuar si më të mundshmet në lidhje me krimin e rëndë.
Sipas burimeve, ka dyshime që krimi të jetë kryer për hakmarrje. Blutë nuk përjashtuan hakmarrjen për shkak të një implikimi të mundshëm të Dyrmishit në vrasjen me anë të lëndës shpërthyese të ortakut të tij, Xhemal Çela.
Sipas burimeve, Dyrmishi ka qenë një ndër të dyshuarit për këtë krim mafioz. Ndërkohë, një tjetër pistë është edhe hakmarrja për shkak se vëllai i tij, Pëllumb Dyrmishi, ka vrarë në Greqi në vitin 2004 një shqiptar.
Një tjetër pistë, sipas policisë, është edhe larja e hesapeve për shkak se ka dyshime se viktima ka qenë i përfshirë në organizata kriminale disa vite më parë. Konfliktet personale gjatë kohëve të fundit është një tjetër pistë në të cilën po hetohet.
MASAKRA E 6-FISHTË
Hetimet mbi ekzekutimin e Kujtim Dyrmishit, i lindur në Cërrik dhe banues vitet e fundit në Durrës, rikthyen dhe një herë masakrën e ndodhur në vitin 1997, pranë Varrezave publike të Elbasanit. Sipas të dhënave të Policisë dhe dëshmitarëve të asaj kohe, viktimat ishin të gjithë të rinj, që u ndodhën në çastin e gabuar, në makinën e gabuar. Në atë kohë, shtetasit I.D., B.H., A.T., H.F., L.A. dhe B.F. sapo po ktheheshin nga ceremonia mortore e një shokut të tyre. Në kthim, pronari i makinës, i cili ishte në hasmëri me persona të tjerë (mes tyre dyshohen dhe dy vëllezërit Dyrmishi), ka pikasur rivalët e tij. Ai u ka kërkuar të rinjve që të vazhdonin rrugën me makinën e tij se do të kthehej me dikë tjetër. Ky moment ishte fatal, pasi autorët e masakrës kanë qëlluar me breshëri drejt makinës, pa e ditur se kush ishte brenda. Të gjithë në makinë ndërruan jetë, ndërsa mbetën të plagosur dhe persona të tjerë të rastit. Kjo ngjarje nuk u zbardh asnjëherë dhe, sipas burimeve të grupit hetimor në Durrës, Kujtim Dyrmishi dhe i vëllai i tij i burgosur tashmë për një vrasje në Greqi u shoqëruan në Policinë e Elbasanit, por për ta nuk kishte prova.
DYSHIMET PËR KRIMIN
Për policinë mbetet e vështirë zbardhja e ekzekutimit të “Tixhes”. Kamerat e sigurisë pranë sektorit “Iliria” në Durrës dhe dëshmitarët e skenës së krimit kanë treguar për hetuesit se tre autorët ishin të veshur me rroba ushtarake dhe e kishin fytyrën e mbuluar. Veç këtij fakti, edhe pistat që mund të kenë çuar në eliminimin fizik të 49-vjeçarit janë të shumta, sipas Policisë. Në janar të këtij viti u ekzekutua si pasojë e një shpërthimi të telekomanduar ortaku i tij në fushën e ndërtimit, Xhemal Çela. Ky krim mbetet ende pa autor, me gjithë dyshimet e ngritura fillimisht. Nga ana e Policisë së Durrësit pohohet se viktima Dyrmishi, edhe pse nuk ka asnjë precedent penal zyrtar, njihet si kontingjent për bashkëpunim me organizata të ndryshme kriminale. Një tjetër pistë është dhe ajo e hakmarrjes për një krim të të vëllait, Pëllumb Dyrmishi, i burgosur në Greqi, ku ka kryer një vrasje në vitin 2004. Policia e Durrësit ka shoqëruar në komisariat mbi 20 persona, por kryesisht ata kanë qenë dëshmitarë të skenës ku u vra 49-vjeçari Dyrmishi dhe jo të dyshuar konkretë.
Xhemal Çela u vra me tritol teksa ishte në ecje me makinën
Biznesmeni i ndërtimit Xhemal Çela ndërroi jetë pas atentatit me eksploziv më 23 janar të këtij viti. Ngjarja ndodhi përgjatë rrugës “Pavarësia”, në afërsi të rezidencave qeveritare, në plazhin e Durrësit. Automjeti i drejtuar nga Çela shpërtheu rreth orës 10:30.
Makina tip “Citroen C4”, me targa AA759EY, ka ecur për disa metra në flakë, ndërkohë që biznesmeni mundi të dalë dhe në gjendje të rëndë u dërgua me urgjencë në spital nga kalimtarë të rastit. Gjatë gjithë qëndrimit në spital, biznesmeni 45-vjeçar që banonte në Lagjen Nr. 13 të Durrësit ishte në gjendje kome.
Ai humbi jetën rreth orës 14:00, një ditë pas atentatit, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë nga shpërthimi i fuqishëm. Sipas Policisë, në automjetin e tij ishin vendosur 300 gramë tritol C4, sipër gomës. Autorët i kanë rënë ziles së telefonit që ishte lidhur me tritolin dhe mjeti ka shpërthyer, me skemën klasike të shpërthimit të telekomanduar.
Sipas Policisë, vrasja e biznesmenit të ndërtimit ka lidhje me përplasjet e shumta në lidhje me pronësinë e trojeve ku ai ndërtonte pallatet.
Çela rezultonte pronar i disa pallateve të ndërtuara në zonën e plazhit të Durrësit. Megjithëse në atë kohë policia shoqëroi për në komisarit me dhjetëra persona, ende sot e kësaj dite vdekja e tij ka mbetur pa autor. Atentati ndaj Çelës tronditi edhe më shumë opinionin publik, pasi ai erdhi në një kohë kur shpërthimet me tritol në qytete të ndryshme të vendit ishin kthyer në fenomen alarmant për policinë.
Çela ishte pronar i kompanisë së ndërtimit “Enigma”, ku deri para disa kohësh ishte ortak edhe biznesmeni Kujtim Dyrmishi, i vrarë paraditen e djeshme. Sipas burimeve policore, dy ortakët i kishin shkëputur marrëdhëniet e biznesit kohë më parë në mënyrë paqësore dhe vazhdonin të ruanin lidhjet miqësore.
Megjithëse edhe vrasja e Dyrmishit duket e stilit mafioz, për nga dinamika e zhvillimit të saj nuk ngjan me atentatin me eksploziv të bërë ndaj ish-ortakut të 49-vjeçarit Dyrmishi, në fillim të këtij viti. (A.R/SHUPLAKA)