Të tjera të dhëna kanë dalë në lidhje me plagosjen e një 52-vjeçari, i cili u qëllua me tre plumba ditën e sotme nga forcat speciale RENEA, gjatë aksionit të këtyre të fundit për kapjen e Ardian Narkës, i akuzuar për vrasjen e dy bashkëfshatarëve të tij në vitin 2008.
Sipas burimeve për Fax News nga Spitali i Traumës në Tiranë, mësohet se Narkaj ende nuk është futur në sallën e operacionit. Momentalisht ai ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të stabilizuar për momentin, por ende nuk e ka kaluar rrezikshmërinë për jetën.
Po kush është Ardian Narkaj?
Narkaj ishte në kërkim nga policia për vrasje të dyfishtë dhe policia kishte marrë informacion për vendndodhjen e tij në fshatin Bratosh të Malësisë së Madhe, teksa ka ndërmarrë një operacion për arrestimin, por me sa duket ka hasur në rezistencë dhe për pasojë mbeti i plagosur rëndë.
52-vjeçari ka qenë në listën e të kërkuarve nga Policia e Shtetit, pasi akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese”.
Ardian Narkaj është autori i një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në viti 2008 në Malësinë e Madhe. Ngjarja ndodhi në fshatin Bratosh, ku viktimë mbetën Tonin Ulaj dhe Gjergj Shota.
Krimi i dyfishtë ndodhi gjatë kohës kur dy viktimat ishin persona të shpallur në kërkim nga Policia. Një tjetër i kërkuar është Françesk Vala, i dënuar në vitin 2017.