Kanë mbërritur në gjykatën e Elbasanit, Albert dhe Seit Manahasa të cilët janë arrestuar nga policia e Elbasanit rreth 3 ditë më parë. Gjyqi do të drejtohet nga gjyqtari Bujar Musta.
Pas informacioneve të grumbulluara gjatë punës hetimore se në ambientet e biznesit të këtyre shtetasve në Peqin ishte fshehur arma e krimit, është ushtruar kontroll i befasishëm dhe si rezultat, në ambientet e brendshme të biznesit, poshtë sabratorit të një makine u gjet një armë zjarri pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe nga provat shkencore ka rezultuar se arma e zjarrit e sekuestruar është arma e zjarrit pistoletë e përdorur në ngjarjen e datës 20.07.2020, në Elbasan, ku është vrarë shtetasi Emiljano Ramazani.
Ndërkohë që lidhur me këtë ngjarje, policia shoqëroi mbrëmjen e djeshme shtetasin Gani Çollaku, i cili dyshohet se është dhe personi që vendosi armën poshtë sabratorit të mjetit, e cila u gjet më pas nga ana e Policisë.