Murtaja afrikane e derrave ka vënë në lëvizje Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të kontrolluar të gjitha rrugët e lëvizjes së kafshëve sidomos në zonat kufitare. Edhe pse në Shqipëri nuk janë konstatuar raste, Fatmir Ozuni drejtor rajonal i AKU thotë se janë ngritur grupe kontrolli sidomos në zonat kufitare për të mos lejuar qarkullimin e kafshëve pa certifikatë të origjinës.
Ai shpjegon simptomat tipike të kësaj sëmundjeje si dhe faktin se një mish i infektuar nuk konsumohet. Duke treguar se edhe nëse mishi do të jetë i infektuar në trupin e derrave, kjo sëmundje nuk transmetohet tek njeriu, por për Ozunin do të ketë një dëm të madhe ekonomik ne xhepat e fermerëve shqiptar.
Në Qarkun e Elbasanit mbarështohen rreth 500 krerë derra dhe fermerët thonë se ndjehen pa përkrahje. Thanas Josifi shprehet se ka nisur karantinimin e derrave të tij pasi nëse do të goditej nga kjo murtajë ai është drejt falimentimit. Ai tregon se një ndër shkaqet kryesore të falimentimit te fermerëve të derrave është hyrja e mishit të huaj dhe mos rimbursimi nga ana e shtetit.