Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar ndalimin e katër personave, pas dyshimeve se janë përfshirë në shtrimin e rrugëve në qytetin e Belshit në funksion të fushatës elektorale.
Hetimet janë nisur pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqeshin mjete që shtronin asfalt në një rrugë të qytetit, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 11 majit.
Në pamje shfaqej edhe një kandidat për deputet, i cili ngriti shqetësimin për kohën dhe qëllimin e punimeve.
Prokuroria njoftoi se ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe ka arritur në përfundimin se punimet janë kryer pa dokumentacionin përkatëse.
Dy nga personat e ndaluar janë shoqëruar nga policia, ndërsa për dy të tjerë është lëshuar urdhër kërkimi. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse.
Njoftimi zyrtar i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 446 të vitit 2025 për veprën penale të “Shpërdorim detyre”, “Përdorimi i funksionitpublik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Moskallëzim i krimit” të parashikuar nga nenet 248, 328/a/4, 199/a/3 dhe 300 i K.Penal,
Në datë 05.05.2025, ora 08:30, nga këqyrja në rrjetin social “Facebook”,është shfaqur postim “Asfalt elektoral në Belsh”, në video dallohet një kamion me mbishkrimin “V. H.” dhe mbrapa saj një mjet që shtron asfalt. Në këmbë gjendet kandidati i një koalicioni zgjedhor shtetasi D.C. Ky shtetas në video mes të tjerash relaton se: “I bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë Belsh, që pse shtrohet ky asfalt tani, një javë para zgjedhjeve”.
Në kuadër të këtij procedimi janë kryer disa veprime hetimore si kqyrja e vendit të ngjarjes, kqyrja dhe sekuestrimi i dokumentacionit mbi punimet në rrugë (praktika e mbajtur nga ana e Bashkisë Belsh dhe nga subjekti “V.H” shpk), administrim i deklarimeve të personave që kanë dijeni rreth veprës penale.
Në tërësi të veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente, rezulton se ka dyshime të arsyeshme që punonjës të IMT Bashkia Belsh kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi me mosveprimet e tyre kanë lejuar që subjekti “V.H” shpk të shtrojnë pa projekt rrugë të brendshme në qytetin e Belshit, të dyshuara të kryera në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 11.05.2025.
Nga ana e subjektit “V.H.” shpk është kryer vepra penale e “Ndërtimit të paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal.
Sa me sipër në datë 10.05.2025 nga Prokurori i çështjes është urdhëruar ndalimi i të dyshuarve për një krim shtetasve F.M., L.H., Dh.K. dhe B.H.
Nga policia gjyqësore është ekzekutuar ndalimi për dy shtetas, jane ushtruar kontrolle vendesh si dhe është bërë shpallja në kërkim e dy shtetave Dh.K. dhe B.H.