Prej disa ditësh Elbasani është vënë në qendër të vëmendjes mediatike, kjo për shkak të disa incidenteve që në qytet kanë ndodhur mes Policisë dhe grupeve kriminale. E sikur të mos mjaftonte rrëmuja e këtyre ditëve, sot masat do të jenë edhe më të mëdha nga ana e forcave të sigurisë.
Kjo sepse në stadiumin e qytetit skuadra korçare e Skënderbeut do të luajë ndeshjen e parë në Shqipëri në kuadër të Europa League, kundër Jang Bojs.
Sipas njoftimit të policisë, për ndeshjen do të angazhohen 315 punonjës policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Komisariatet dhe Stacionet policore vartëse të saj, nga FNSH-ja. Gjithashtu do të ketë bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.
NJOFTIMI:
Drejtoria e Policisë Elbasan ka njoftuar dje mediat përmes një komunikate se ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa më normal para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes Skënderbeu-Jang Bojs.
“Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve në këto akse rrugore, konkretisht: parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit. Në orën 17:00 nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve nga Kryqëzimi i Bulevardit ‘Qemal Stafa’ me rrugën ‘Kamber Sejdini’ deri te ‘Kryqëzimi i tapetave’.
Lëvizja e mjeteve të ekipit vendas dhe të huaj do të jetë Tiranë-Tunel-Bradashesh-Lulet-Rrethrrotullimi i Postës-Rrethi i Bashkisë-Kryqëzimi i Bulevardit me rrugën ‘Kamber Sejdini’ – stadium dhe kthim. Bëjmë me dije se hyrja e sportdashësve do të fillojë tri orë para ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve të gjata në hyrje për në stadium.
Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 315 punonjës policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Komisariatet dhe Stacionet policore vartëse të saj, nga FNSH-ja dhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë.
Nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë. Të gjithë tifozët që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete: sende të forta, shishe të çfarëdolloji, fishekzjarrë, monedha apo metale, çelësa të ndryshëm.
Në të kundërt nuk do të lejohen të futen në stadium. Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit. Të gjitha lokalet që ndodhen përreth stadiumit, deri në përfundim të ndeshjes do të jenë të mbyllura.
Drejtoria Policisë Elbasan u kërkon qytetarëve që të minimizojnë lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit të Elbasanit, çka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti”, citohej në njoftimin e policisë së Elbasanit.
(E.K/SHUPLAKA)