Nga Desada Metaj
Elona Gjebrea, ish-zëvendësministrja e Brendshme dhe kryesuesja e listës së deputetëve socialistë për Tiranën, u bë personazh i njohur ditët e fundit pasi media aludoi se ajo është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen Tahiri.
Sipas burimeve të cituara nga disa portale, zonja Gjebrea dyshohet të ketë udhëtuar së bashku me ish-shefin e saj për në Greqi në të njëjtat ditë kur makinën e kanë patur në përdorim vëllezërit Habilaj.
Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda për shkak të sekretit hetimor nuk mundet as ta provojë por as ta përgenjeshtrojë këtë lajm, deputetja e PS me një fjalor aspak të denjë për një zonjë që ka qenë numri 2 i Ministrisë së Brendshme iu hakërrye gazetarëve për pyetjet që i drejtuan lidhur me këtë çështje duke preferuar të përdorë madje dhe gjuhën e shumë kritikuar të Kryeministrit për “median e kazanit”.
Zonja Gjebrea ndoshta nuk e di se është e detyruar t’u përgjigjet gazetarëve, qoftë edhe me fjalët e arta “nuk kam koment” dhe jo të fyejë ata që e pyesin për një shqetësim të ditës.
Aq më shumë ajo mban përgjegjësi për ato që ka bërë kur ka qenë zëvendësministre sikundër dhe për veprimet e familjarëve të saj. Gjë që zonja në fjalë nuk duket ta ketë bërë, ndërsa bashkëshorti i saj Arjan Hoxha nuk e ka kaluar dot “vetting”-un e dekriminalizimit, test i çdo punonjësi të administratës.
Nëse për momentin askush nuk mund të vërtetojë apo të hedhë poshtë faktin nëse ajo është thirrur për të dëshmuar tek Krimet e Rënda, të paktën për bashkëshortin e zonjës deputete letrat zyrtare flasin më qartë ndërsa ka fshehur faktin se ka qenë i dënuar me 8 muaj burg për mashtrim dhe falsifikim të dokumentave zyrtare.
Arian Viktor Hoxha, bashkëshorti i zonjës deputete është deklaruar fajtor për veprën penale të falsifikimit të dokumentave shtetërorë dhe gjykata e ka dënuar me 8 muaj e 25 ditë heqje lirie. (dokumenti bashkëngjitur)