Aktorja Ema Andrea, një emër i njohur në artin shqiptar, për një kohë të gjatë ka qëndruar e shkëputuar nga kinematografia.
Përpos roleve të ndryshme të luajtura në teatër, atë nuk e kemi parë pjesë të një filmi. Por duket se tanimë ajo do jetë sërish pjesë e kinemasë. Në një intervistë për “Blitz.al”, aktorja ka zbuluar detajet dhe ka treguar arsyen e shkëputjes së gjatë.
“Kam munguar në kinemanë shqiptare prej më shumë se 25 vitesh dhe nuk e di arsyen e largimit. Thjesht nuk kam qenë e ftuar të marr pjesë në të”, është shprehur ajo.
Pas 25 vitesh larg kinemasë, Ema Andrea, do të jetë pjesë e kastit të aktorëve në filmin më të ri “Vëthi i munguar”. Ajo do të luajë rolin e gruas që kupton se burri e ka tradhtuar pasi lexon testamentin e tij. Më tej, ajo do të përballet me të dashurën e bashkëshortit, të cilën e fton në shtëpi. I gjithë filmi bazohet në këtë takim.
(XH.A/SHUPLAKA)