Gjatë pasdites dhe gjatë orëve të mbrëmjes kanë vazhduar operacionet intensive në të gjithë vendin për të përballuar situatën e përmbytjeve. Situata vazhdon të rëndohet në qarqet e jugut të vendit si në Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Fier dhe Berat.
Forcat në terren po vijojnë evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara. Në raste të veçanta është kërkuar edhe përdorimi i shtrëngimit për të bindur qytetarë të caktuar që ende nuk arrijnë të kuptojnë shkallën e rrezikut. Evakuim është kryer dhe vijon të kryhet në Berat, Fier dhe Vlorë. Kanë vazhduar edhe operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilat në disa raste, siç ishte ai i para pak minutave në Sarandë, kanë qenë shumë fatlume. Në rastin e Sarandës u gjetën, në errësirë në majë të një peme dhe në një siutatë shumë të rrezikshme dy barinj që kishin humbur lidhjet.
Gjendja më e vështirë vijon të mbetet prurja ekstreme e lumenjve Vjosë, Osum, Seman dhe Shkumbin. Vjosa ka dalë nga shtrati në afërsi të urës së Mifolit, Selenicës dhe në Memaliaj. Probleme paraqet edhe gjendja e lumenjve të tjerë. Ekziston rreziku qe edhe Devolli të dalë nga shtrati duke krijuar probleme për fushën e Maliqit.
Rrugët janë mbajtur të lira. Përjashtim bën aksi Tepelenë Kakavijë, ku në Urën e Viroit është bllokuar kalimi. Aty po punohet për zhbllokimi e rrugës dhe për sistemin e udhëtarëve që nuk mund të vijonë aktualisht udhëtimin. Edhe në akse të tjera po punohet për eleminimin e rrëshqitjeve të dherave. Pas ndërhyrjeve të OSHEE, numri i abonentëve pa energji është ulur në rreth 20 mijë nga mbi 100 mijë që ishte në mesditë. Përkeqësim ka njohur gjendja e ujëmbledhsit të Bovillës për shkak të turbullimit të ujit. Masat për zgjidhjen e kësaj situate do të shoqëerohen me kufizime të furnizmit me ujë të Tiranës në ditët në vijim.Po ashtu, me probleme është stacioni që furnizon me ujë të pijshëm Fushë Krujën, Maminasin, Shijakun dhe pjesërisht Prezën.
Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falënderon të gjithë pjestarët e strukturave shtetërore e private që janë të angazhuar pa ndërprerje në operacionet në terren gjatë natës për përballimin e situatës. Komiteti u bën thirrje qytetarëve që të dëgjojnë, të bashkëpunojnë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve shtetërore përgjegjëse, veçanërisht ato që lidhen me evakuimin, i cili mbetet mjeti i parë për të shmangur pasojat e rënda për jetën në këto momente.
Situata, sipas parashikimeve profesionale, do të vijojë të rëndohet dhe për këtë arsye kërkohet mirëkuptim dhe bashkëpunim i gjerë dhe solidaritet. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave falenderon subjektet private dhe organizatat jo qeveritare që janë angazhuar në përkujdesjen ndaj personave të evakuuar apo në dhënien e ndihmave materiale dhe ushqimore për të prekurit nga gjendja.
Si pjesë e këtij njoftimi vijojnë të mbeten instruksionet e dhëna në komunikatat e mëparshme lidhur me masat e sigurisë që duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët. (B.H/Faxweb)