Sociologu Ergys Mërtiri i ftuar në studion e Faxnews, ka folur rreth arsyeve që shtyjnë shqiptarët të emigrojnë jashtë vendit.
Për sociologun, mungesa e shpresës që diçka e mirë do të ndodhë në të ardhmen i bën shqiptarët të kërkojnë fatin e tyre jashtë. Mërtiri shprehet se nëse do të kishte lotari në vende të tjera përveç SHBA-së, me shumë siguri shqiptarët do të ishin të parët që do e plotësonin.
“Askush nuk emigron me qejf nga vendi i vet, njerëzi priren të besojnë se diçka e mirë do të ndodhë në të ardhmen, por kjo nuk ndodh në Shqipëri. Kjo për shumë njerëz humb shpresat dhe i bën të kërkojnë fatin e tyre jashtë vendit. Mungesa e një perspektive në vend i bën shqiptarët ta kërkojnë jashtë.
Nëse do të kishte lotari për Itali, Greqi dhe vende të tjera do të plotësohej nga këta të rinj. Duhet të jetë një nivel mjaft i lartë i njerëzve që kanë marrrë iniciatën për të aplikuar”, u shpreh ai.
Për sociologun, edhe qytetarët që kanë vërtet një punë të paguar apo edhe një biznes të tyrin, e shohin ende mundësinë e largimit drejt vendeve të tjera.
“Unë njoh njerëz që merren edhe me biznes, të cilët gjithashtu duan të migrojnë, edhe pse një pagesë si një drejtor banke nuk është e keqe. Të rinjtë nuk kanë edhe aq mundësi punësimi, edhe pse varet nga profesioni që ke. Ata shohin një mungesë vlerësimi, pavarësisht se mund të jenë të mirëpaguar, kur mësojnë sesa paguhen homologë në vendet e tjera i duket i pabesueshme. Edhe biznesmenët nuk e mendojnë dot të investojnë para në një vend ku institucionet hedhin poshtë çdo iniciativë të qytetarëve.
Kryesisht mjekët janë më të pavlerësuar, nëse një mjek në Gjermani paguhet 60 mijë në Gjermani në QSUT ai paguhet 700. Çfarë motivi duhet të ketë një mjek për të punuar në QSUT, shumica e mjekëve bëjnë edhe një punë të dytë”, u shpreh ai.
(J.D/Faxweb.al)