Mbrëmjen e kaluar qyteti i Fierit u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku mbetën të plagosur pesë persona. Një person hapi zjarr me armë brenda në spitalin Rajonal të Fierit, duke plagosur një shtetas me të cilin ishte konfliktuar më parë.
Burime bëjnë të ditur se konflikti kishte nisur midis dy familjeve, Zhupa dhe Braçe, në Levan të Fierit, ku janë dëmtuar me sende të forta dy shtetas Gentian Zhupa dhe Aldo Zhupa, ndërsa shtetasit Klajdi Lamaj dhe Erild Muçaj janë lenduar me mjet prerës dhe ndodhen në spital.
Të plagosurit janë transportuar për në Spital, për ndihmë mjekësore. Në Urgjencën e spitalit një prej shoqërueseve të të dëmtuarve, E.Braçe, i ka marrë armën e zjarrit nga brezi punonjësit të policisë, i cili po ndihmonte për të futur të plagosurit në Urgjencë dhe ka plagosur me armë zjarri një prej familjarëve të palës tjetër, shtetasin Aleksandër Zhupa.
Në ndihmë të punonjësve të Policisë kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie duke kanë bërë bllokimin e dy shtetasve E.Braçe e D.Braçe dhe shoqërimin në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë për veprime të mëtejshme.
FNSH dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen edhe të një shtetasi tjetër të përfshirë në këtë ngjarje.
Për hetimin e kësaj ngjarje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale.
Njëkohësisht me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vendngjarje kanë shkuar edhe specialistët e Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Polici, për të verifikuar veprimet e punonjësve që ishin në momentet e para në Urgjencën e spitalit.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, motivit të konfliktit si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.
(M.Q/Faxweb.al)