Një plagosje me armë ka ndodhur mesnatën e djeshme në qytetin e Kuçovës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e lagjes “1 Maji” në këtë qytet, ku është qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të Donal Grymshit.
I plagosuri është transportuar në gjendje të rëndë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi ka marrë ndihmë e parë mjekësore është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Mjekët e spitalit të Beratit konfirmojnë se i plagosuri kishte humbur shumë gjak dhe ishte në gjendje kritike për jetën.
Policia ka bërë me dije se pas një konflikti të çastit, ai është përplasur fizikisht me disa presona, ku dhe më pas ka përshkallëzuar në përdorimin e armës.
Policia ka bërë të mundur identifikimin e autorëve si dhe ka shpallur në kërkim personat: Ledio Serdari, Albion Thoma, Vasil Prendi dhe Arben Tabaku.
Burime bëjnë me dije se 4 autorët janë larguar nga vendngjarja me një makinë të tipit ‘Toyota Yaris’ me targa ‘Ab 243 DC’. Mësohet se drejtuesi i mjetit ishte Vasil Prendi i shpallur në kërkim së bashku me tre autorët e tjerë.
Njoftimi i Policisë:
Kuçovë/Plagosën me armë zjarri një shtetas, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorët e dyshuar. Vijon kontrolli i zonës për kapjen e tyre.
Rreth orës 23:30, të mbrëmjes së djeshme, është paraqitur për ndihmë mjekësore në Spital, i plagosur me armë zjarri, shtetasi D.G., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili po merr ndihmë mjeksore në spital.
Si rezultat i punës hetimore profesionale intensive të bërë nga specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kuçovë në bashkëpunim me shërbimet e DVP Berat, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar, shtetasve: L.S., 22 vjeç, A.Th., 22 vjeç, V.P., 23 vjeç, dhe A.T., 23 vjeç, të katërt banues në Kuçovë.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, në lagjen 1Maj, Kuçovë, kanë plagosur me armë zjarri shtetasin D.G.
Vijon puna për kapjen e 4 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.