Një mjek i Urgjencës së Spitalit infektiv në QSUT është dhunuar nga një qytetar mesditën e djeshme. Lajmi bëhet i ditur nga vetë QSUT, ndërsa dënohet akti i rëndë ndaj mjekut Gentian Stroni, i cili ka qenë në krye të detyrës.
Nuk dihet ende identiteti i personit që ka dhunuar mjekun, dhe as rrethanat e tjera të ngjarjes.
Reagimi i QSUT-së:
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dënon rëndë aktin e dhunës së ushtruar të dielën në mesditë nga një person i papërgjegjshëm, kundrejt mjekut të rojes në Urgjencën e Spitalit Infektiv.
Çdo akt dhune e agresioni ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor në tërësi përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre është i papranueshëm, bazuar në normat ligjore, etike, morale. Çdo akt dhune ndaj bluzave të bardha është i papranueshëm duhet të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente.
Fatkeqësisht ky nuk është një rast i izoluar por është rast i përsëritur, që mjekë dhe infermierë të spitalit tonë dhunohen në krye të detyrës.
Drejtoria e QSUT edhe një herë dënon aktin e dhunës të ushtruar mbrëmë ndaj mjekut infeksionist dhe u bën thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen dhe autori të marrë dënimin e merituar.
Një apel të fortë i bëjmë opinionit publik, të mirëkuptojnë dhe përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post