Deputetja e Partisë Demokratike, Eleina Qirici ka bërë sot në mbrëmje një sqarim lidhur me praninë e saj në listën e emrave që kërkojnë largimin e Bashës nga funksioni i kryetarit të partisë pas humbjes së zgjedhjeve.
Qirici shkruan se ajo i qëndron kërkesës për dorëheqje dhe analizë të thellë pas zgjedhjeve, por nuk bie dakord për deklaratën.
Deputetja e PD-së thotë se me përmbajtjen e saj është njohur vetëm përmes mediave.
Reagimi:
Që një kryetari partie politike, pas një humbjeje në një garë elektorale për zgjedhje parlamentare, t’i kërkohet tërheqja nga posti i kryetarit, është jo vetëm vendim i përgjegjshëm nga ana e palëve, por akt që diktohet nga vullneti i votës.
Përshëndes kërkesën e një grupi drejtuesish/demokratësh që i drejtohen kreut të PDSH për dorëheqje dhe analizë të thellë post-zgjedhore, por do të doja të bëj të ditur që emrat e listuar, para se personat të renditen, duhet të pyeten dhe të shprehin vullnetin e tyre për të qënë pjesë e kërkesës, jo thjesht dhe vetëm në respekt të vullnetit të individit, por edhe për të formalizuar një vendimmarrje kolegjiale shprehur mes një deklarate hartuar në unanimitet (për të cilën nuk kam patur dijeni).
Renditja e emrit tim në listën shume emërore që pason deklaratën, si dhe vetë teksti i deklaratës më është bërë i njohur nga media.
(M.D/Shuplaka)