Dy të rinj shqiptarë të moshës 19 vjeçare, punëtor nga Kosova, janë rrahur barbarisht në Novi Sad të Serbisë, dhe njëri prej tyre raportohet të jetë në rrezik për jetën.
Ata janë sulmuar vetëm pse ishin dëgjuar duke folur shqip. Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar dhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku e cila ka publikuar dhe foton e të riut shqiptar që është në rrezikun për jetën.
Çitaku ka shkruar se Maloku është sulmuar për shkak se ka folur shqip në qytetin serb.
“Emri i tij është Çlirim Maloku. Ai është nga Kosova. Emri i tij do të thotë Çlirim. Ai është lindur më ’99, vitin kur Kosova është çliruar nga okupimi serb. Javën e kaluar ai është rrahur në Serbi, sepse ka folur gjuhën e tij amtare. Sot ai po lufton për jetën e tij. Merreni me mend”, thuhet në shkrimin e saj.