Martin Përgjini është personi i dyshuar për vrasjen e 44 vjeçarit Pjetër Kola mbrëmjen e djeshme në fshatin Qafë Çelë të Pukës. Policia është vënë në ndjekje të tij.
Kola mbërriti mbrëmjen e djeshme në spitalin e Shkodrës me një plumb në bark, ku pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk u bë e mundur që t’u mbijetonte plagëve. Transportimi i tij në spital u bë nga 2 persona ende të paidentifikuar.
Njoftimi i policisë mbrëmjen e djeshme:
Rreth orës 18:00, në qendrën shëndetësore të Vaut të Dejës është paraqitur për ndihmë mjekësore, shtetasi P. K., 44 vjeç, nga Lezha, i plagosur me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, ne fshatin Qafë Çelë, Pukë.
Ky shtetas është transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër, për ndihmë mjekësore më të specializuar, i cili ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës.
Është ngritur menjëherë grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.