Gjykata e Sarandës, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit, ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të biznesmentit 43-vjecar Romeo Laze.
Laze është dënuar në fund të vitit 2022 me 4.7 vjet heqje lire për akuzën “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Laze u arrestua në 28 gusht 2021 në kuadër të operacionit “Çuka”. Gjatë kontrollit të banesës së Lazes, policia e Sarandës gjeti dhe sekuestroi 1.2 kg kokainë, 3 peshore elektronike, një shumë të konsiderueshme në lekë dhe euro si dhe 3 automjete e 3 motocikleta.
Pas hetimit pasuror, Gjykata e Sarandës vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, duke urdhëruar sekuestrimin e 2 pasurive të paluajtshme në pronësi të Lazes, të ndodhura në zonën kadastrale 8641 në Sarandë, subjektit tregëtar me objekt “Lavazho, tregëti automjetesh” në lagjen nr. 4 Sarandë si dhe dy automjete në pronësi të tij, konkretisht me targa AB777RN dhe AA118DR.
Ekzekutimi i sekuestrove është kryer ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Sarandë.