Mes personave që humbën jetën pas ngjarjes tragjike në Itali, ku u shemb ura në Xhenova duke shkaktuar deri tani 38 të vdekur, është dhe një shqiptar.
28-vjeçari nga Shijaku, Marjus Djerri ka humbur jetën. Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij në Itali.
Ata kanë thënë se 28-vjeçari po shkonte në punë. Ndërkohë shqiptari tjetër Edi Bokrina rezulton ende i zhdukur pas shembjes së urës.
Dy shqiptarët po udhëtonin me furgonin e firmës EuroPulizia. Ata ishin nisur për të bërë një punë në Rapallo.
‘Fax News’ intervistoi dje një dëshmitare nga Xhenova, e cila pohoi se dy emigrant shqiptarë kanë vdekur.
“Dy emigrantë shqiptarë kanë humbur jetën nga shembja e urës në Genova!” U shpreh dje në një lidhje telefonike për Fax News shqiptarja Marjeta Musaraj e cila ka qenë dëshmitare në vendngjarje.
Ajo tregoi momentet e tmerrit që ka përjetuar dhe tregon se çdo ditë jetonin me frikë pasi këmba e urës lëvizte.
“Një djalë 23 vjeç dhe një djalë tjetër kanë humbur jetën. Jam shumë e tronditur. Unë dëgjova se ato po i priste pronari për të punuar.Tani mora vesh se kanë vdekur të dy.
Është një frikë shumë madhe sepse aty shpërthyen dhe tubat e gazit. Nuk kishte të bënte me stuhinë, thonë që ka rënë një rrufe, por ajo kishte nevojë që të rindërtohej. Por aty është faji i atyre që nuk e rindërtojnë. Kishin3 muaj që punonin punëtorët aty.
Nga dita në ditë ajo dëgjohej dhe më shumë. Këmba e urës lëvizte. Rrezikon që të bie dhe pjesa tjetër dhe aty ka çisterna të gazit. Fati më i madh që nuk ka rënë e gjitha dhe është shkëputur e gjitha”, tha ajo.
(B.H/Faxweb)