Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Klosit më 3 maj, ku shembja e një masivi minerali çau një rezervuar uji, që si pasojë mori para dhe të riun që punonte aty me fadromë.
Trupi i 29-vjeçarit, Ardit Beshiri është ende i humbur mes masivit të dheut dhe baltës, ndërsa familjarët vijojnë me kërkimet për gjetjen e tij. Ditën e sotme janë publikuar edhe fotot e të riut.
Një ditë më parë, Nerim Beshiri, babai i 29-vjeçarit apeloi për ndihmë të shtuar nga shteti për gjetjen e trupit të djalit të tij. Ai rrëfeu se ka 3 ditë që së bashku me familjarët e tij kërkojnë trupin e 29-vjeçarit me lopata dhe mjete rrethanore në mungesë të aparaturave të specializuara. Babai të riut u shpreh se kërkon që djali i tij të prehet i qetë dhe ti vendosë një tufë lule.
“Kërkoj ndihmë nga shteti për gjetjen e trupit të djalit. T’i gjejnë vetëm njërin gisht ta çoj te familja se nuk ka gjë më të madhe në botë të humbasësh djalin në mal. I bëj thirrje shtetit, të sjellin aparatura të specializuara të gjej djalin dhe të di ku të hedh një tufë lule. Ka 3 ditë që vij me vëllezërit duke kërkuar me lopatë. Nuk ka asnjë lloj mjeti.
Djali doli në 6 të mëngjesit nga shtëpia këtu, hëngri drekën dhe vazhdoi punën me ekskavator dhe e mori baseni para. Djali kishte 5 vite që punonte, me siguracione, me të gjitha. Nuk kanë si ta gjejnë djalin me lopata, ndaj i kërkoj shtetit ndihmë për mjete të specializuara. Babai, vëllai im tjetër po kërkojnë trupin. Ju lutem kërkoj ndihmë. Kaq mund të them”, tha ai.