Ambrozia Meta
Mëngjesin e kësaj të shtune, une po ëndërroja sikur udhëtoja drejt Balit, me Barish Arduç, e veshur me streçe dhe strapul Nike, flokët kurrizpeshk, kur ndjeva zhurmën e telefonit. Një njoftim i kryeministrit në twitter. “Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, te cilin e falenderoj për kontributin e çmuar”. Vetëm një fjali dëftore, për njeriun që ishin shkruajtur qindra lajme dhe që në një vit, kishte dominuar zhvillimet politike në vend. Në telefon, mesazhe nga kolegët: kush është Sandër Lleshi, njeriu që në 2013 u propozua nga Ismail Kadare, për President. U shtriva sërish. Tani nuk mendoja as Balin, as Barishin po të gjitha rastet që ne gazetarët kemi pritur dorëheqjen ose shkarkimin e tij.
Audiopërgjimi ku implikohej vëllai i tij. Mesazhe nga redaksia: Interesohu, është parë makina e Xhafës para kryeministrisë. Takim kokë me kokë me Ramën. Ministri i paraqiti dorëheqjen, kryeministri e refuzoi. Një konferencë urgjente, ministri deklaron që kurrë s’ ka menduar të japë dorëheqjen. Lëvizjet e mundshme në shtator në qeveri, a do jetë Xhafaj i rrezikuar?! Pastaj operacionet e policisë, porosia e ministrit për gazetarët: “Qëndroni afër Ardit dhe Gentit se do ketë zhvillime interesante”, pa e ditur që për pak ditë, në telefon ne do merrnim lajmin e largimit të tij. Pastaj, unë e pashë sesi mundohej të mbante veten, duke hyre në Ministrinë e Brendshme. Ndjeva kënaqësi kur e dëgjova të thoshte, se ishte hera e parë që vinte me vonesë në punë, të njëjtën kënaqësi që ndjeja kur e shihja në krye të Komisionit të Ligjeve, me flokët e bardhë, të butë teksa ulte syzet dhe rrudhte vetullat, duke i ndërprerë fjalën, Doktor Ulsi Manjës.