Fekondimi artificial ndihmon të gjithë çiftet që nuk kanë mundësi që të bëhen me fëmijë. Për të folur për këtë temë ishte e ftuar në studion e emisionit “Aktualitet” të gazetarit Bejdo Male doktoresha Hysni Aliko.
Ajo ka hapur klinikën private “Genesis” tek Rruga e Kavajës për t’iu ardhur në ndihmë të çifteve me probleme. Gjatë intervistës, Aliko shpjegoi me detaje sesi bëhet fekondimi artificial.
“Përpara se një grua të hyjë në cikël ne bëjmë një protokoll analizash për të parë për sëmundjet gjenetike. Stimulohet gruaja, merret veza dhe në momentin që merret pritet 5-6 orë dhe merret spermatozoidi dhe futet tek veza e pjekur. Këto të gjitha bëhen në laborator. Më pas embrioni krijohet për 3, ditë, 5 ditë, varet nga embrioni. Nëse ka më shumë se 1 embrion, ne e ngrijmë. Kur kryhet procesi i fekondimit, kryhet analiza pas 12 ditësh për të parë nëse gruaja ka ngelur shtatzënë ose jo”, tha doktoresha.
Ajo deklaroi se nëse një femër arrin moshën 40 vjeçare, atëherë është më e vështirë për të që të ngelet shtatzënë. Sipas saj, problemi qëndron edhe tek meshkujt, por këta të fundit janë më të mbyllur për shkak të mentalitetit.
“Studimet thonë se 40% i kanë problemet femrat. Por janë më të shtuara problemet mashkullore. Duke ditur mentalitetin tonë, e kanë më të vështirë meshkujt të paraqiten tek mjeku. Femra është më e kujdesshme dhe më e afërt me mjekun. Mashkulli nuk do ta pranojë që ka një problem”, u shpreh Hysni Aliko për emisionin “Aktualitet”.
Për të garantuar siguri në punën që bëhet, doktoresha theksoi se bashkëpunon me mjekë italianë. “Unë punoj me mjekë italianë. Jemi një ekip i madh. Punojmë në grup. Nëse unë bëj ndonjë gabim padashur, atëherë unë kam përkrah një obsetre, një gjinekolog që diskutojmë sesi duhet të trajtohet një çift”, deklaroi mjekja.
Ajo tregoi edhe një teknikën e avancuar që aplikojnë tek meshkujt kur nuk gjendet dot spermatozoidi tek sperma. Aliko deklaroi se në këtë rast spermatozoidi merret tek testikujt.
“Ka raste kur meshkujve nuk jua gjejmë dot spermatozoidin në spermë dhe në këtë rast ne e marrim në testikuj”, tha doktoresha. Hysni Aliko bëri me dije se në klinikën “Genesis” mund të bëhet edhe ngrirja e vezëve me teknikat më të sigurta në botë.
Ndërkohë në videon e mëposhtme mjeku italian tregon me detaje sesi bëhet fekondimi në laborator hap pas hapi dhe aparaturat që duhen për këtë proces.
(M. I./ Faxweb.al)