Drejtori ekzekutiv i ‘’Fax News”, Enton Abilekaj ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë në lidhje me kapjen e saj nga ana e oligarkëve. Duke iu referuar protestës së fundit nga ana e naftëtarëve Abilekaj u shpreh se skema ‘’ARMO” është një skemë që përsëritet në mënyrë të vazhdueshme çdo vit.
“Kjo që po ndodh përpara ministrisë është një turp i vërtetë, sesi shfrytëzohet Policia e shtetit në ndihmë të dy oliogarkëve. Kryeministri Rama duhet që të japë llogari sesi i gënjeu një vit më parë këta persona duke i thënë se nuk do të kishin më probleme me pagesat. I përdori ata vetëm për të marrë votat.
ARMO nuk është një histori që dështoi rrugës, është një skemë që është përsëritur nga qeveri të ndryshme. Këto kompani janë të regjistruara në offshore dhe në momentin që ata duhet të paguajnë taksat dhe rrogat zhduken duke falimentuar. Po si ka mundësi që një kryeministër të deklarojë që jemi përballë një falimenti dhe nuk kemi çfarë të bëjmë?!
Kjo është një skemë e pastër korruptive, ku pasuritë natyrore të vendit përdoren për të mbushur xhepat e oligarkëve. Naftëtarët nuk pranuan karrotën e prishur të qeverisë, po pranuan shkopin.”, u shpreh Abilekaj.
Duke iu referuar qëndrimit të opozitës Abilekaj u shpreh se është e papranueshme që nuk ka një reagim nga ana e tyre, dhe se kjo tregon që ata janë bërë palë me oligarkët.
“Opozita duhet të reagojë dhe qëndrimi i saj është i papranueshëm. Tregon që është palë me oligarkët. Deputeti i Partisë Socialistë shkoi aty për t’i përçarë, kjo tregon mjerimin e politikës.
Drejt naftëtarëve janë çuar mesazhe kërcënuese, nga qeveria apo Kol Nikolla dhe njerëz të tjerë mashtrues. Disa prej tyre pranuan zgjidhjen e karrotës që të shkonin dhe të festonin në familjen e tyre. U bë një mashtrim për ti çuar në shtëpi duke u dhënë vetëm një pjesë të rrogave.
Ata janë pa kushte aty, edhe mediat janë të pakta në numër, pasi janë pjesë e sistemit. Është e vështirë që ata të protestojnë, pas pak këtu do të jetë një përfaqësues i tyre që të marrim më mirë vesh se kush dhe pse i kanë gënjyer.
Mendoj se duke i përkrahur dhe mbështetur këta njerëz ne mund të gjejmë një zgjidhje sa më shpejt edhe pse duket e veshtirë me kapjen që i është bërë kësaj qeverie nga ana e oligarkëve”, vijoi më tej Abilekaj.
(E.K/FAXWEB)