Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë sot në një konferencë për media se rasti i Kosovës nuk duhet krahasuar me rastin e Katalonjës, sepse dihet se te ne Serbia ka kryer spastrim etnik.
Hoxhaj tha se para viteve të 90-ta, Kosova ka qenë pjesë e Federatës Jugosllave, si njësi federative, duke shtuar se ai regjim ka pasur edhe mbështetjen e Presidentit të sotëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas Hoxhajt, ka qenë njeriu i dytë në Partinë radikale Serbe dhe për shef të tij e ka pasur Sheshelin.
“Në vitet 90-ta ka pasur një realitet politik të pavarur të Kosovës, të referendumit kur ne kemi dalë. Serbia ka ndjekur një politikë të spastrimit etnik”, tha Hoxhaj, shkruan Gazeta Express.
Hoxhaj tha se në vitet kur shtetet që ishin pjesë e Federatës Jugosllave të cilat u pavarësuan vite me radhë, në asnjë vend tjetër në Evropë nuk ka pas realitete të tilla, në 30-40 vitet e fundit.
“Jugosllavia ka qenë një shtet shumëkombësh, në të cilin pavarësinë e ka fituar fillimisht Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Bosnja, në 2006 Mali i Zi dhe në 2008 Kosova. Ky është një kontekst kohor legal politik etnik, por edhe i një politike të spastrimit etnik që ka ndjekur Serbia në atë kohë”, tha Hoxhaj.
E për këtë, Hoxhaj tha se nuk duhet krahasuar këto gjëra, “sikurse të krahasohen mollët me dardha… e këtë punë mund ta bëjë Aleksandar Vuçiç, i cili ka qenë mjeshtër i propagandës së Millosheviçit, por mund ta bëjë edhe Ivica Daçiq, i cili ka qenë zëdhënës, andaj është absurde që të dëgjohen ata që flasin për Kosovën”.
Krejt në fund, zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se edhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, është një person teknik në Qeverinë serbe “dhe deklaratat e saj nuk na bëjnë përshtypje, andaj çfarëdo që ajo i shkruan Komisionit Evropian për neve nuk çon ndonjë peshë”.
Kujtojmë që pas referendumit në Katalonjë është krijuar një gjendje mjaft e tensionuar ndërmjet forcave të policisë dhe katalanasve të cilët kërkojnë pavarësinë nga Spanja.
Madridi e ka shpallur të paligjshëm referendumin. Spanja është ndër vendet kryesore në Europë që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës nga Serbia, kjo sepse kishte problemin e Katalunjës që kërkonte të shkëputej, por sipas Koxhës nuk ka asnjë ngjashmëri për shkak se në Kosovë Serbia kreu spastrim etnik. (B.H/Shuplaka)