Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, u ka dërguar një letër 49 homologëve të tij ku shpjegon përpjekjet e Serbisë për të futur në Kosovë trenin e ndaluar ditën e shtunë.
Hoxhaj ua ka bërë me dije që ky rast nuk është i izoluar, por pjesë e një qasjeje sistematike armiqësore e Serbisë ndaj Kosovës, në të cilën përmenden deklaratat, ndërtimi i murit, tërheqja e ministrave serbë dhe e deputetëve nga institucionet e Kosovës, arrestimi i Ramush Haradinajt dhe i Nehat Thaçit etj.
Letra e plotë e Enver Hoxhajt:
Në javët dhe muajt e fundit, Republika e Kosovës ka qenë subjekt i veprimeve të shumta provokuese dhe agresive nga ana e Qeverisë së Serbisë. Më 14 janar 2017, Qeveria e Serbisë njoftoi për hapjen e një linje ilegale direkte të trenit nga Beogradi në Mitrovicë, të veshur me mesazhe kontroverse dhe provokuese. Si manifestim vizual i pretendimeve të Serbisë për Kosovën, treni përfaqësonte një lëvizje të papranueshme të Serbisë me qëllim të minimit të normalizimit të raporteve dhe fqinjësisë së mirë.
Pas disa paralajmërimeve dhe konsultimeve të zgjeruara, Qeveria e Kosovës ndaloi hyrjen e trenit ilegal dhe provokativ në Kosovë, duke bërë të mundur që pjesa veriore e territorit të vendit të jetë e qetë dhe e sigurt nga kjo ndërhyrje e kamufluar e Serbisë. Qeveria e Kosovës nuk është kundër lirisë së lëvizjes dhe lidhjeve rajonale. Sidoqoftë, shqetësim për Kosovën ishte natyra provokative e këtij treni dhe roli potencial destabilizues që bartë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Siç kemi ilustruar edhe përmes reagimeve tona të matura dhe të kujdesshme, Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit janë të përkushtuara për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të përkatësisë serbe.
Në këtë rast, Qeveria serbe ka zgjeruar një fushatë intensive të keqinformimit dhe provokimit ndaj Republikës së Kosovës. Më 14 janar 2017, Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç ka lëshuar një deklaratë ku rrejshëm akuzon Kosovën gjoja për tentime për të hedhur në erë pjesë të hekurudhës në veri të Kosovës dhe për ta parandaluar hyrjen e trenit provokativ. Është tmerruese të dëgjosh deklarata të tilla keq informuese nga një kryeministër serb, të cilat ne i kuptojmë si asgjë tjetër pos një përpjekje për mbulimin e veprimeve të tyre agresive dhe ndërhyrëse ndaj Kosovës. Më 14 janar 2017, Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç ka kërcënuar haptas me përdorim të forcës dhe dërgim të ushtrisë serbe në Kosovë, me arsyetimin se duan ta mbrojnë komunitetin serb në Kosovë. Presidenti Nikoliç e ndërlidh përpjekjen për futjen në Kosovë të trenit provokativ, me marrëveshjen për liri të lëvizjes të arritur më 02 korrik 2011, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. Ne e konsiderojmë deklaratën e tij të pavërtetë dhe pa bazë faktike. Marrëveshja për liri të lëvizjes nuk rregullon linjat ndërkufitare të hekurudhave, por, trajton vetëm lëvizjen në rrugë të zakonshme, veturat, dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e tabelave të veturave.
Fatkeqësisht, përpjekja për futjen e trenit provokativ nuk është një akt i izoluar, por është vetëm ngjarja më e re në kuadër të veprimeve agresive dhe provokative që Serbia ka ndërmarrë kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Së fundmi, Qeveria e Serbisë ka marrë masa të njëanshme dhe agresive duke kërkuar ndjekjen penale politike dhe të paligjshme dhe ekstradimin e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë në rajon. Më 04 janar 2017, Franca ndaloi ish-Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj duke u bazuar në një fletë arrest të lëshuar nga autoritetet e Serbisë në Interpol. Më 12 janar 2017, një gjykatë franceze vendosi për lirimin e Haradinajt, të cilit iu kërkua të qëndrojë në Francë deri në shqyrtimin e kërkesës së Serbisë për ekstradim. Kjo, për Republikën e Kosovës është e papranueshme, sepse Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm për akuzat për krime lufte në Tribunalin e Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavi. Shfrytëzimi i Interpolit nga ana e Serbisë për të lëshuar fletë arreste kundër lidershipit politik dhe ushtarak të Kosovës, ka për qëllim parandalimin e Kosovës për të qenë pjesë e komunitetit demokratik ndërkombëtar dhe po ashtu përfaqëson përpjekje të dëmshme të Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë ekskluzive për krime lufte dhe akte gjenocidale të sponsorizuara nga shteti kundër ish-republikave Jugosllave. Marrë parasysh që Serbia haptas ka dështuar t’i ndjekë politikanët e lartë serbë dhe zyrtarët ushtarakë për krime lufte në ish-Jugosllavi, ajo nuk ka kredibilitet politik për të ndërmarrë veprime të tilla. Prandaj, përndjekjet politike që po bën Serbia jo vetëm që bien në kundërshtim me drejtësinë ndërkombëtare, por gjithashtu e dëmtojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin ndër-shoqëror, ndaj të cilave Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar.
Sado që ne do të donim që ky të ishte një rast i izoluar, kursi i veprimeve agresive nuk përfundon këtu. Më 29 shtator 2016, autoritetet e Serbisë arrestuan z. Nehat Thaçi, komandant regjional i Policisë së Kosovës, nën dyshime të rrejshme dhe të pabaza për përfshirjen e pretenduar të tij në krime lufte. Kjo jo vetëm që dëshmon sjelljen agresive dhe konfrontuese të Serbisë karshi Kosovës, por gjithashtu përbën shkelje flagrante të rregullave elementare të drejtësisë ndërkombëtare dhe abuzim të marrëveshjes për liri të lëvizjes, të arritur si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Z. Thaçi u lirua pas më se një muaji mbajtjeje të pabazë në paraburgim, duke dëshmuar edhe një herë që arrestimi dhe ndalimi i tij ishte i motivuar politikisht dhe i pabazë.
Për më shumë, Serbia ka ndërhyrë në institucionet demokratike të Kosovës. Qeveria e Serbisë ka urdhëruar haptas anëtarët serbë të Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës t’i bojkotojnë aktivitetet e institucioneve të Kosovës, gjë që ka për qëllim minimin e shoqërisë multi-etnike të Kosovës. Qeveria serbe, jo vetëm që ka dështuar deri më tani në zbatimin e dhjetëra marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, por ka vazhduar t’i financojë strukturat e saj paralele dhe ilegale brenda territorit të Kosovës, të cilat minojnë sovranitetin e brendshëm të Kosovës, pengojnë integrimin e komunitetit serb në institucione dhe në shoqëri, dhe kërcënojnë stabilitetin e rajonit.
Më 07 dhjetor 2016, Qeveria e Serbisë urdhëroi ndërtimin e një muri në pjesën veriore të lumit “Ibër”, në Mitrovicë, duke bërë shkelje flagrante të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe duke devijuar nga marrëveshja e arritur për rivitalizimin e urës mbi lumin “Ibër”. Ky veprim provokativ ka për qëllim të shkaktojë përçarje etnike në Kosovë dhe ta dëmtojë normalizimin e marrëdhënieve. Përpjekjet e Serbisë për të krijuar hapësira një-etnike në territorin e Kosovës janë të kundërligjshme dhe të papranueshme.
Më herët, në tetor 2016, Serbia ka ndërhyrë në menaxhimin strategjik të pronave të brendshme të Kosovës, duke kundërshtuar miratimin e Ligjit për Trepçën, qëllimi i vetëm i të cilit ishte evitimi i rrezikut të inicimit të procedurave të likuidimit të kësaj ndërmarrjeje, proces i cili do t’i shkaktonte dëme të pariparueshme vetë ndërmarrjes, punëtorëve të saj, dhe stabilitetit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Për Qeverinë e Kosovës, shfrytëzimi i duhur i resurseve natyrore është prioritet strategjik dhe me interes vital për qytetarët e Kosovës. Ndërhyrja në çështjet ekonomike të Kosovës dhe përpjekja e tyre për t’i manipuluar serbët lokalë që jetojnë në Kosovë, edhe një herë, ilustron qasjen agresive të Serbisë ndaj Kosovës, e cila dëmton rëndë normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin në rajon.
Gjatë muajve të kaluar, zyrtarët serbë kanë shkelur marrëveshjen për vizita zyrtare, e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Fatkeqësisht, këto vizita nuk kanë pasur qëllim vizitat në monumentet religjioze apo te komuniteti serb në Kosovë, por janë keqpërdorur haptas për propagandë politike dhe vazhdimisht kanë shpërfillur strukturat e sundimit të ligjit të Kosovës.
Prandaj, veprimet provokuese të Serbisë, ne i konsiderojmë shkelje flagrante të marrëveshjeve teknike e politike të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore të ndërmjetësuar nga BE-ja. Këto veprime, po ashtu, janë në kundërshtim me obligimet e Serbisë që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe zotimet e marra si pjesë e bisedimeve për anëtarësim në BE, ku kërkohet zgjidhja e çështjeve të hapura në mënyrë paqësore, promovimi i bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe përafrimi me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes së Bashkimit Evropian. Në fund, agresiviteti i kohëve të fundit i Serbisë kundër Kosovës është në kundërshtim me kartën e Kombeve të Bashkuara, marrëveshjet rajonale dhe të drejtën ndërkombëtare.
Përkundër kërcënimeve të vazhdueshme, Republika e Kosovës qëndron e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si rruga e vetme për të promovuar bashkëpunim si dy shtete të pavarura dhe sovrane, me qëllim të arritjes së progresit në procesin e integrimit evropian dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë. Ne kemi vepruar me pjekuri politike dhe në përputhje të plotë me ligjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare, duke reaguar ndaj kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë me dialog paqësor dhe metoda diplomatike. Republika e Kosovës e inkurajon Bashkimin Evropian si ndërmjetësues i dialogut që ta nxisë Serbinë që t’i përmbahet zotimit për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal dhe të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të shteteve të tjera apo të ndërmarrë veprime provokuese që kanë për qëllim destabilizimin e rajonit.
Në fund, politika e re e Serbisë kundër Kosovës përfaqëson jo vetëm devijim fundamental të Serbisë nga zotimi për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, por përfaqëson devijim domethënës nga rruga e saj e integrimit evropian, si dhe kërcënim të ri në aspektin e sigurisë të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor. Marrë parasysh që Serbia po kërkon të zgjerohet jashtë kufijve të saj, komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i vetëdijshëm dhe ta marrë në konsideratë ndërmarrjen e të gjitha masave parandaluese në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, janë edhe kërcënime për sigurinë rajonale.