Disa ditë pas shoqërimit të shtetasit Erald Alimehmeti nga ana e Policisë së Tiranës, Prokuroria ka nisur një hetim ndaj punonjësve të Policisë, pasi dyshohet se ata kanë ushtruar dhunë mbi të riun.
Alimehmeti është arrestuar nga Policia në Tiranë dy ditë pas sulmit terrorist që tronditi Vjenën në fillim të muajit Nëntor, ku mbetën të vdekur 4 persona dhe u plagosën 22 të tjerë, më datë 4 nëntor, si pjesë e dyshimeve që rrjeti terrorist mund të kishte ndikim edhe në Shqipëri.
Mësohet se fillimisht i riu është ndaluar nga Policia për shkak se nuk mbante maskë mbrojtëse, dhe më pas gjatë shoqërimit në komisariat është verifikuar dhe identiteti i tij. Erald Alimehmeti është vëllai i Sajmir Alimehmetit, shqiptarit që është dënuar me 22 vite burg nga drejtësia në Nju Jork për terrorizëm.
Por në Gjykatë Eraldi ka thënë se ai nuk i ka dhunuar efektivët, vetëm i ka sharë ata. Ai është shprehur gjithashtu se në qeli është rrahur nga 4 efektivët e Shqiponjave që e ndaluan. Për këtë, edhe prokurorët kanë konstatuar shenja dhune në trupin dhe fytyrën e Alimehmetit dhe kanë urdhëruar kryerjen e një ekspertize mjeko-ligjore.
Menjëherë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për rastin dhe 4 efektivët e Shqiponjave, ndërkohë që vijojnë hetimet për vetë rolin e Alimehmetit. (E.K/Faxweb.al)