Teksa ishte duke raportuar në Kuvend kreu i ILDKPI-së, një fjalim me tone të forta ishte ai i deputetit Myslym Murrizi, i cili kërkoi që subjekt i hetimeve të ishin me doemos dhe politikanët.
Murrizi u shpreh se nuk ka më shumë se 500 individë ata që kanë dëmtuar më shumë vendin tonë nga viti 1990, e deri më sot.
Sipas Murrizit duhet një specifikim më i madh në punën e ILDKPI-së dhe për aktivitetet financiare që kanë politikanët shqiptarë jashtë vendit, dhe për pasuritë që ata kanë vënë atje.
“Shoh që ka shumë subjekte që janë objekt i ligjit tuaj, do të doja që të vinte koha për të përgatitur një ligj më konkret për punën tuaj. Nëse keni 15 mijë subjekte, me 70 punëtorë që ju keni jeni shndërruar në një magazinë.
Unë do të doja që jut ë ishit një organ pararojë i prokurorisë për të hetuar 500 milionë eurot e fshehura aty te vilat pas tegut, 500 milionë eurot e fshehura në Gjirin e Lalzit, dhe një 500 tjetër që është fshehur në rivierën shqiptare.
Miliona euro pasuri marramendëse kanë banorë të kësaj salle që kanë ardhur këtu në 91-shin me pantallona doku, corape 55 lekëshe, brekë thesi, dhe sot të grin Armani e Guçi, e sot kanë hale dhe për macet, më parë kanë pasur hale qepiçi.
Prandaj duhet një ngushtim më i madh I rrethit, për biznesin kam respekt dhe ishalla i shtojnë., Nuk janë më shumë se 500 individë ata që kanë vjedhur pasurinë e këtij vendi”, u shpreh Murrizi mes të tjerave në fjalën e tij.
“Ka politikanë që kanë supermarkete në Serbi, hotele dhe shtëpi me qera në Angli, ka gjyqtarë që blejnë vila luksoze në Firence, duhet që të ketë takime më intensive me vendet partnere”, tha më tej Murrizi.