Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi në deklaratën për mediat pas dëshmisë prej më shumë se 2 orësh në prokurorinë e Tiranës ka insistuar në qëndrimin e tij të një dite më parë se Policia e Shtetit nuk iu përgjigj në kohë thirrjeve për ndihmë nga brenda selisë së PD-së në mesditën e 8 janarit, kohë kur mbështetësit e Berishës në përpjekje për të marrë selinë blu u përplasën me mbështetësit e Bashës:
“Kam informuar dhe sot zyrtarisht prokurorinë e Tiranës se kam kontaktuar Policinë e Shtetit në numrin e kontaktit të vendosur prej tyre në orën 12:27 minuta. Ka pasur një komunikimi të vazhdueshëm dhe kam telefonuar 7 herë drejtuesit e policisë dhe kanë ardhur mbi 40 minuta vonesë. Kam dhënë shpjegime të plota mbi çdo çështje për të cilën prokuroria ka patur pyetje përfshirë edhe lëndën që ju pyetët dhe kam rikonfirmuar atë që besoj se tashmë është e njohur publikisht se e vetmja lëndë e gjendur në mënyrë rrethanore në selinë qendrore të Partisë Demokratike kanë qenë fikëset e zjarrit. , tha Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së ishte thirrur sot në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë dëshinë e tij mbi ngjarjet që ndodhën në 8 Janar në selinë e kësaj partie ku qindra mbështetës të ish-kryeministrit Berisha ishin mbledhur për të marrë selinë e cila sipas tyre ëhstë uzurpuar në mënyrë të jashtëligjshme nga kreu aktual Lulzim Basha.
Në godinën, e cila prej ditësh po blindohej për shkak të thirrjes së kësaj proteste ndodheshin dhjetëra deputetë, kryetarë degësh dhe anëtarë e persona të tjerë. Situata eskaloi pasi mbështetësit e Berishës gjetën dyert e mbyllura dhe pasi shembën derën e katit të parë, tentuan të ngjiteshin në zyrën e Bashës po hasën në rezistencën e shumë personave që ndodheshin brenda në seli. Lëndë e panjohur (sipas hetimeve paraprake të prokurorisë) u hodh në drejtimin e tyre, ndërsa u desh ndërhyrja e FNSH-së për të shpërndarë turmën. Mes palëve pati akuza e ndërakuza për përdorim të dhunës, ndërsa dy palët akuzuar policinë e Shtetit për përdorim jo proporcional të gazit. Gjatë raportimeve të asaj ditë 11 persona përfunduan në spital me plagë jo të rënda dhe shumë qyettarë dhe gazetarë vuajtën hedhjen në masë të gazit lotsjellës. Policia arrestoi 34 persona me akuzën e përdorimit të dhunës dhe dëmtimit të pronës, ndërsa sot pa kaluar ende një javë, asnjë i ndaluar nuk ndodhet në qeli. Për shumicën u dha masë ‘detyrim me paraqitje’ ndërsa për të tjerët u tërhoq akuza.
Menjëherë pas kësaj Basha përjashtoi përjetë shumë emra të njohur të kësaj partei, disa prej tyre dhe deputetë, ndërsa pezulloi me kushtin e distancimit nga dhuna dhe shumë të tjerëve.
Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë në përplasje të hapur që prej 9 shtatorit të vitit 2021, kur pak para nisjes së legjislacionit të ri parlamentar ky i fundit shpalli largimin e përkohshëm nga grupi parlamentar i PD-së themeluesin e kësaj partie Sali Berishën pas përkufizimit si ‘non grata’ nga SHBA-të.
Të dy palët pretendojnë se kanë shumicën dërmuese të anëtarësisë, ndërkohë që Berisha prej muajsh ka nisur takimet me bazën.