Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan duket se po kalon çdo limit në raportet me Perëndimin dhe NATO-n. Pak ditë pasi akuzoi SHBA-të se po ndihmojnë terroristët e ISIS, sëfundmi ai ka adresuar një paralajmërim të qartë edhe për vendet aleate në NATO, me një gjuhë aspak diplomatike, përkundrazi, tepër “kërcënuese”.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Institucionit të Kërkimit Shkencor dhe Teknologjik të Turqisë (TUBITAK), Erdogan, sipas Anadolu Agency tha ndër të tjera se “si Turqi prej shumë kohësh u kemi bërë thirrje vendeve perëndimore që ‘të mos bëjnë dallime mes grupeve terroriste, dhe të sillen në përputhje parimore‘.
Përkundër kësaj kryesisht Amerika dhe disa vende të tjera me pretendime të ndryshme nga ana e tyre me mashtrime me lojëra shkronjash kanë zgjedhur rrugën duke mbështetur publikisht organizatat që masakrojnë të pafajshmit në rajonin tonë. Edhe kur ne e themi këtë, zotërinjtë shqetësohen”, – tha Erdogan.
Ai shtoi se “përderisa Turqia përjetonte probleme të kërcënimeve që vinin nga Siria përgjatë kufijve tanë, madje teksa brenda kufijve tanë lëshoheshin bomba, NATO qëndroi jashtë ndodhive. Edhe sot as nga NATO as nga vendet aleate në fjalë që kanë prani të forcave në rajon nuk kemi parë as edhe ndihmën më të vogël. Koalicioni i formuar për luftën kundër DEASH-it i cili gjoja i ka shkaktuar humbje të mëdha DEASH-it nuk ofron asnjë kontribut në ofensivën e El Bab-it. Na vjen keq por ne nuk e gëlltisim këtë”, – tha Erdogan.
“Ne jemi bashkë me ju në NATO dhe teksa ne jemi bashkë me ju në NATO ju këto mbështetje në vend që të na i jipni ne ua dërgoni organizatave terroriste. Apo mos ndoshta këto organizata terroriste janë parteri juaj në NATO?. Si ka mundësi që ju t’u ofroni këtë mbështetje këtyre organizatave të cilat i llogaritni si organizata terroriste separatiste? Ne e kemi të pamundur ta pranojmë këtë. Është e pamundur që ta gëlltisim këtë. Nëse ne jemi në Aleancën e NATO-s, nëse ne jemi partnerë strategjik dhe model atëherë do të jeni në anën tonë.
Nuk duhet të qëndroni në anën e organizatës terroriste separatist. Ata që punojnë me organizatat terroriste të jenë të gatshëm të mbyten ose në gjak ose në lot”, – është shprehur ndër të tjera Erdogan. Por nuk është mjaftuar me kaq. “Në të vërtetë, shenjat e kësaj dalin në pah herë-herë. Ai që qëndron në një shtrat me gjarprin duhet të marrë parasysh kafshimin dhe helmimin. Ata që punojnë me organizatat terroriste duhet të jenë të gatshëm të mbyten ose në gjak ose në lot. Nuk ka nevojë të bëhemi fallxhorë për të kuptuar se nesër i pret i njëjti fat ata që shikojnë shpërthimet e bombave në Turqi si një pjesë filmi dhe ata që vazhdojnë të mbrojnë organizatat terroriste që janë shkaktarë të këtyre”, – paralajmëroi Erdogan, që me akuzat e tij në adresë të Perëndimit, gjithmonë e më shumë po konfirmon aleancën me Moskën zyrtare të VladimirPutun. (E.K/SHUPLAKA)