Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka reaguar pasi Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dorëzoi armët. “”Plaga” 47-vjeçare e terrorizmit” po i afrohet fundit dhe po hapet një “faqe e re” në historinë e Turqisë”, tha ai. Erdogan foli në hapjen e takimit të 32-të të konsultimit dhe vlerësimit në një hotel në Ankara.
“Turqia ka fituar. Secili prej 86 milionë qytetarëve tanë – turq, kurdë dhe arabë – ka fituar”, tha Erdogan një ditë pas ceremonisë së dorëzimit.
Erdogan foli për popullin e etnisë kurde të cilët i quajti “vëllezër” të turqve, teksa tha se Ankaraja është e hapur për t’u ulur dhe biseduar me ta.
“Me fundin e “terrorizmit”, Turqia do të jetë “shumë më e fortë dhe më e sigurt se më parë. Ne do t’i përqendrojmë energjitë tona në biznesin tonë kryesor. Do t’i mobilizojmë burimet tona jo për luftën kundër terrorizmit, por për zhvillimin, prosperitetin dhe një Turqi të begatë”, njoftoi Erdogan, duke specifikuar se qeveria turke do të lehtësojë përfundimin e procesit duke monitoruar dorëzimin e armëve.