Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha sot se Forcat Demokratike Siriane (SDF), militantët kurdë të mbështetur nga SHBA-të, po përdorin “taktika zvarritëse” pavarësisht një marrëveshjeje me qeverinë e re siriane për ta integruar grupin në forcat e armatosura siriane.
Duke folur me gazetarët në një fluturim nga Azerbajxhani, Erdogan përsëriti qëndrimin e Turqisë se uniteti dhe integriteti territorial i Sirisë duhet të ruhet, duke thënë se marrëveshja midis SDF-së dhe Damaskut duhet të zbatohet brenda afatit kohor të rënë dakord dhe të planifikuar, raporton Reuters.
“Ne thamë më parë se e mirëpresim marrëveshjen. Por shohim që Forcat Demokratike Siriane ende po vazhdojnë taktikat e tyre zvarritëse. Ata duhet ta ndalojnë këtë “, tha Erdogan.
Turqia e konsideron SDF-në një organizatë terroriste dhe më parë ka dënuar thirrjet e grupit për decentralizim në Siri.