Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan viziton nesër Tiranën, ndërsa do të inaugurojë edhe xhaminë e re të Namazgjasë bashkë me kryeministrin Edi Rama.
Përplasja që la xhaminë e Namazagjasë pa një drejtues do të marrë fund, pas shumë kohësh që kjo xhami edhe pse tërësisht e përfunduar nuk priste asnjë besimtar mysliman.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me kryetarin Bujar Spahiu do të mungojë në ceremoninë e përurimit, ndërsa i pranishëm do të jetë vetëm Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja. Sipas një postimi në Facebook, të Myftinisë së Tiranës, Teqja do të jetë imami zyrtar i xhamisë, njëkohësisht edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.
Por, po përmes një njoftimi në Facebook, imami turk Enes Bastur kishte njoftuar se do të merrte drejtimin e xhamisë së Namzgjasë. Ende mbetet e paqartë se kush do të vendoset në krye të kësaj xhamie, në të cilën 10.000 besimtarë do të mund të falin namazin në të njëjtën kohë, e që puna për ndërtimin e saj nisi që në vitin 2015-të.
Për vizitën zyrtare që presidenti turk, Erdogan do të zhvillojë nesër, 10 tetor, çdo gjë është bërë gati. Xhamia në qendër të kryeqytetit, e konsideruar si më e madhja në Ballkan, është veshur me flamujt e Turqisë dhe Shqipërisë, e pas inaugurimit do të jetë e hapur për të gjithë besimtarët myslimanë. Kjo xhami i ka kushtuar qeverisë turke 30 mln euro.
Ndonëse kjo xhami duhet të hapte dyert për besimtarët dhe të thirret ezani i parë që në vitin 2018, tre vite pas nisjes së punimeve, nuk u realizua për shkak të përplasjeve mes komunitetit mysliman në Turqi dhe atij në Shqipëri, të akuzuar si gylenistë, kundërshtarët më të fortë të Erdogan, të cilët ky i fundit i ka akuzuar edhe për grusht shteti në 2016-ën.
Gjatë vizitës së tij zyrtare, Presidenti i Turqisë do të qëndrojë vetëm disa orë në Tiranë, ku veçohet inaugurimi i xhamisë, do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin Rama, e më pas një konferencë për mediat. Një takim Presidenti Erdogan e ka planifikuar edhe me homologun e tij, Presidentin Bajram Begaj.