Bizneset që do të nxirren nga tregu i rregulluar i energjisë do të paguajnë tarifë për të përdorur linjat e Operatorit të Shpërndarjes.
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar tarifat e aksesit në rrjet për 6300 biznese, të cilat nga muaji i ardhshëm do të detyrohet ta gjejnë vetë energjinë në treg të lirë, pasi nuk do të furnizohen më nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.
Sipas vendimit, për bizneset që do të furnizohen nga linja e tensionit të mesëm 35 kilovolt, tarifa e aksesit do të jetë 1.5 lekë/kilovat orë, ndërsa për bizneset e lidhura në rrjetin 20 kilovolt, tarifa e aksesit do të jetë 3.9 lekë/kilovat orë, shkruan revista Monitor.
Pas daljes nga tregu i rregulluar këto biznese do të jenë të detyruara ta sigurojnë vetë energjinë në treg të lirë dhe veç çmimit që do paguajnë tek shitësi i energjisë do të paguajnë edhe tarifën e aksesit në OSHEE.
Sipas vendimit të ERE-s, duke filluar nga muaji i ardhshëm mbi 6300 biznese do të paguajnë deri në 35% më shumë për energjinë elektrike. (A.R/SHUPLAKA)