Erida Bajrakurtaj është padyshim një ndër bukuroshet e futbollit shqiptar. Përveçse e kuruar nga aspekti i bukurisë, 21 – vjeçarja është futbolliste e talentuar që tashmë mbron ngjyrat e ekipit të Kinostudios dhe Kombëtares Shqiptare.
Mbrojtësja shkodrane, e ka nisur karrierën që në moshën 14-vjeçare, ku për gjashtë vite ka udhëhequr si kapitene ekipin e Vllaznisë duke fituar 6-të tituj.
Në një intervistë ndryshe për “Shuplaka”, mbrojtësja shkodrane rrëfehet për pasionin e saj për sportin, foton dhe jetën në futbollin e femrave.
Familja dhe shkolla për Eridën janë tepër të rëndësishme, saqë arrin të refuzojë elitën e futbollit gjerman për të qëndruar pranë tyre.
Erida, keni pasur oferta nga jashtë ?
Po, kam pasur, përkatësisht nga Bundesliga, por nuk jam interesuar shumë për këtë pjesë. Megjithëse menaxheri që më ka kontaktuar ka ngulmuar që unë të pranoj ofertën, pasi në të vërtet ishte goxha e mirë. Kam pasur dhe nga ekipe në Slloveni në gusht po nuk shkova, pasi nuk më dhanë kartonin.
Përse e refuzuat ?
Jam e fokusuar më shumë tek shkolla. Futbollin e shoh më shumë një pasion se sa profesion, duke ditur që këtu në Shqipëri nuk është në nivele Europiane. Pavarësisht se jap maksimumin si në stërvitje ashtu dhe në fushë kur luaj. Kam një lidhje të veçantë me këtë sport dhe e dua shumë. Nuk doja të lëvizja jashtë pasi jam shumë e lidhur me familjen, sidomos babain, i cili ka kontribuar shumë tek unë, falë tij janë dhe arritjet e mija të deritanishme. Përveç kësaj jam e fokusuar edhe te studimet pasi dua t’i kryej me sukses pastaj në verë do të shoh mundësitë që më jepen.
Si ndiheni me trajnerin e ri Grimen?
Shumë mirë. Është trajner shumë i komumikueshëm dhe i mirë. Gjithashtu dhe ndihmësi i tij Sinani është super i mirë. Kam respekt tejmase për të.
Po te Kinostudio si po i’u shkon. Jeni ambjentuar?
Të jem e sinqertë më së miri. Ndihem e kënaqur aty, mbase dhe për faktin që jam natyrë miqësore dhe di të ambjentohem, por edhe vajzat dhe stafi aty janë shumë pozitivë.
Si e shikoni veten në të ardhmen, çfarë synimesh keni?
Primare është të përfundoj studimet, pasi tani jam në master për Edukim Fizik, të punësohem, pa harruar ambicien që kam për të fituar sa më shumë tituj të tjerë.
Përveçse e talentuar, bini në sy dhe për hijëshinë që keni si vajzë. Përjashto sportdashësit, futbollistët ju ngacmojnë ?
(Qesh) Natyrisht që çdo vazjë merr komplimente, ftesa për të dalë, e gjëra të tilla. As ngacmimet nuk mungojnë, edhe nga ana e futbollistëve, jo vetëm nga Shqipëria.
Si duhet të jetë partneri ideal për ju?
Hëmmm, mendoj se pikë së pari duhet të jetë i sinqertë dhe me karakter të fortë. Besnik dhe i aftë për ta drejtuar si duhet jetën e tij.
Futbollist?
Pse jo?! Por, jo domosdoshmërisht duhet të jetë futbollist, megjithëse do të më pëlqente të kishte të bënte me sportin. Me rëndësi është të ketë cilësitë që thashë në pyetjen e mëparshme.
Keni një lojtar idhull?
Siç çdokush, po. Më pëlqen shumë portieri i Bajernit dhe kombëtares gjermane, Manuel Nojer. Është lojtar fantastik. Më motivon dhe mësoj shumë nga ai. E ndjek jo vetëm në ndeshje, por dhe në videot në “youtube” apo intervistat që jep. Është Unik!
Cili është ekipi yt i zemrës?
Përveç Vllaznisë natyrisht, bëj tifo dhe për Bajern Mynih dhe Gjermaninë.
Duket se i’u pëlqen fotografia….
Jam shumë e apasionuar pas fotografisë, herë herë më pëlqen të bëj edhe foto profesionale, në kohën e lirë.
Të mërkuren luani ndaj Italisë, si e prisni këtë miqësore ?
Është një ndeshje e rëndësishme padyshim. Por sic të gjitha takimet e tjera, edhe kjo ka vështërsinë e saj. Ne do të japim maksimumin dhe shpreojmë me fitore.
Sa e vështirë është të jesh futbolliste në Shqipëri?
Në fillim besoj secila nga vajzat që vendosi të luajë futboll në një skuadër, ka pasur sadopak vështërsi nga shoqëria edhe failjarët. Pasi në vendin tonë vazhdon të paragjykohet femra për përzgjedhjet e saj. Personalisht në fillim familjarët e mi nuk kishin aq dëshirë që unë të luaja futboll. Tani janë mësuar me këtë dhe unë ndihem mirë gjithashtu. Por, tani ka filluar të zhvillohet më shumë futbolli i femrave dhe secila zgjedh sportin që i pëlqen pa u ndjerë e paragjykuar.
Intervistoi: Eva MARKU
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”630″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]