Prej ditës së sotme, 3 mijë përfituesit e lotit të parë të dëmshpërblimeve nga tërmeti i 26 nëntorit në Bashkinë e Tiranës, mund t’i tërheqin pagesat cash në çdo pikë të Postës Shqiptare. Kjo u bë e ditur gjatë një mbledhje të zhvilluar online paraditen e sotme, nën praninën e kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.
Gjatë raportimit për ecurinë e procesit në qytetin e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj tha se krahas përfituesve të pare, janë në proces edhe dy lote të tjera, që do të kalojnë së shpejti në Këshillin Bashkiak, përkatësisht 3100 dosje që i shtohen listës së personave që përfitojnë aktualisht dëmshpërblimin.
“Ne kemi tashmë të akorduar nga qeveria një fond prej mbi 700 milionë lekësh; 560 milionë janë pagesa cash të familjarëve. Ndërkohë, pjesa tjetër ka të bëjë me rregullimin e ambienteve të përbashkëta. Me grantin që kemi marrë për ambientet e përbashkëta është ezauruar e gjithë kërkesa, ndaj transhi tjetër i 3100 familjeve do të jetë për pagesa cash për dëmet DS1/DS2/DS3”, sqaroi Veliaj. Ndërsa, theksoi se ka një numër minimal dosjesh të skualifikuara, rreth 300, të cilat i përkasin familjarëve që kanë një shtëpi të dytë po në Tiranë.
Paralelisht me këtë proces, Bashkia e Tiranës ka ecur me nënshkrimin e kontratave për ndërtimin e 200 banesave të para individuale. “50 banesa fillojnë këtë javë në Farkë. Sa i përket banesave kolektive, po bëhet një ekspertizë e thelluar nga studiot private për 92 objekte. Në përfundim, 52 pallate janë për prishje”, deklaroi Veliaj. Më tej, ai tha se duke filluar nga kjo javë, do kemi dëgjesa në Këshillin Bashkiak, ku çdo gjë do të bëhet transparente, kurse inxhinieri apo grupi i inxhinierëve, që kanë bërë testimin e betonit, hekurit, modelimin 3D, dhe që do të firmosin, të noterizuar edhe nga
Instituti i Ndërtimit, do t’ia prezantojnë Këshillit Bashkiak argumentimin për prishje.
“Kemi 10 pallate për rikonstruksion dhe 8 pallate në proces diskutimi, ku duam të shikojmë nëse arrijmë të bëjmë një rikonstruksion të plotë ose nëse do ia vlejë që ta bëjmë nga fillimi sepse inxhinierët kanë një debat mes tyre dhe Institutit të Ndërtimit; por, për këtë do kemi një debat publik në Këshillin Bashkiak”, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës do të ndërhryë në 243 pallate për të riparuar dëmet në hapësirat e përbashkëta. “Për ambientet e përbashkëta, si kafazi i shkallëve, tarraca dhe probleme të kësaj natyre, kemi identifikuar 243 pallate, ku do bëjmë ndërhyrje të tilla. Nga këto pallate, 44 janë me administratorë dhe procesi është shumë më i kollajtë, pasi do t’i kalojmë direkt grantin dhe janë vetë ata dhe banorët që zgjedhin brigadën që ua bën punimet. Tek të tjerat do detyrohemi ta bëjë Bashkia, ndaj dhe ftesa për të gjithë qytetarët është ta zgjedhin sa më shpejt administratorin”, tha Veliaj.
Gjatë raportit për procesin e rindërtimit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës preku edhe pjesën e konvikteve. “Kemi rrëzuar 10 godina konvikti në Kodër-Kamëz, nga të cilat vetëm dy përdoreshin nga studentët, pjesa më e madhe kanë qenë ndërtesa të zaptuara. Në qytetin “Studenti”, tre godinat ishn të amortizuara prej zaptimit gjatë 30 viteve; një pjesë e tyre e nëndhënë disa herë me qera në qiraxhinj të tjerë. Është liruar edhe terreni për kampusin universitar, ku falë aktit normative kemi fillimisht fondin e prokurimit për detajimin e projektit dhe pastaj do të fillojmë ndërtimin”, deklaroi Veliaj.
Kryeministri Edi Rama theksoi se janë 80 milionë dollarë fonde të cilat do të shpërndahen për të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti me nivele dëmi DS1 deri DS3. “Aktualisht, Bashkia e Tiranës ka 5.6 milionë dollarë në proces. Ndërkohë, jemi në procesin e fillimit konkret të punës në terren për ndërtimin e shtëpive. Qytetarët duhet të kuptojnë se kjo e sotmja është vetëm një pjesë, pasi bashkia po i bën miratimet me lote. Janë dy mbledhje të radhës së Këshillit Bashkiak, ku presim të miratohen 3100 dosje dhe 2000 të tjera. Pra, në total 5100 dosje, për të cilat do të lëvrohen fondet drejtpërdrejt për familjet e dëmtuara”, tha Rama.
Për sa i përket procesit të zbatimit të ndërtesave kolektive, Kryeministri sqaroi se ky është një proces që do të marrë kohë. “FSHZH dhe Bashkia e Tiranës nga dita në ditë do të nisin punën në terren. Për sa i përket procesit të banesave kolektive, pasi të bëhet procedura e plotë me Këshillin Bashkiak, do të bëhet edhe shembja e godinave që janë të pariparueshme dhe të pabanueshme. Të gjithë banorët e këtyre shtëpive do të marrin shtëpi të reja me kushte shumë herë më të mira”, nënvizoi Rama.