Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nuk ka dhënë asnjë koment për arrestimin e ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka.
I pyetur nga gazetarët për çështjen e inceneratorëve dhe nëse e mendon dorëheqjen për shkak se edhe emri i tij është përmendur në koncesionin e inceneratorit të Tiranës, Veliaj nuk ka pranuar të përgjigjet.
“Më lini të takoj njerëzit” – iu drejtua Veliaj gazetarëve të Ora News që e pyetën kryebashkiakun kur në fakt po hynte në festën e fundvitit me stafin e bashkisë në një nga restorantet e Tiranës.
Gazetarët e kanë pyetur edhe se kush do ta paguante darkën, por Veliaj u përgjigj: “Secili me të vetat”.
Kryebashkiaku Veliaj është një nga emrat më të akuzuar në aferën e inceneratorit të Tiranës. Sipas dokumenteve të publikuara në media, nga KLSH dhe nga opozita ky incenerator ka pasur një sërë shkeljesh ligjore.
Kompania ‘Integrated Energy BV’ regjistroi një kompani në Tiranë të quajtur Integrated Energy BV SPV në gusht 2017, me një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh (rreth 800 euro). Kjo është kompania e krijuar posaçërisht për menaxhimin e kontratës së koncesionit.
Në vitin 2018 – viti i parë i operimit të kompanisë, Integrated Energy BV SPV realizoi të ardhura prej 1.15 miliardë lekë [9.6 milionë euro] dhe fitime neto në masën 35.7 milionë lekë [rreth 300 mijë euro] ndërkohë që kapitali i aksionerëve vijoi të mbetet 800 euro, sipas bilancit që kompania ka dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.