Dy kompani kineze që morën nga Britania e madhe një shumë prej 20 milionë dollarësh, dhe premtuan se do të prodhonin 2 milionë teste të shpejta, duket se kanë zhgënjyer me pritshmëritë e tyre.
New York Times shkruan se këto teste nuk kanë funksionuar, dhe kanë vënë në dyshime dhe vetë besueshmërinë e qeverisë britanike. Një nga kushtet e marrëveshjes, edhe pse teknologjia ishte e paprovuar, ishte që paratë duhej të paguheshin përpara.
Kur komentonte lidhur me këto teste, Boris Johnson do të shprehej: “Është aq e thjeshtë sa një test shtatëzënie. Ai ka potencialin të jetë një ndërrues total i rregullave të lojës”.
Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetit dhe Kujdesit Social në Britani tha se qeveria kishte porositur numrin më të vogël të testeve të lejuara nga shitësit dhe se do të përpiqej të rikuperonte paratë, pa specifikuar si. Blerja e testeve të pacertifikuara duket se po përbëjnë një nga rreziqet më të mëdha sot në të gjithë botën.
Nxitimi në blerjen e këtyre testeve, duket se është shkaktuar edhe nga ritmi shumë i shpejt i infektimeve që ka pasur së fundi në Britaninë e Madhe.
Shumë kohë përpara zhvillimit të një testi të antitrupave, Gjermania, për shembull, udhëheqësi i kontinentit në luftën kundër koronavirusit, filloi të kryejë deri në 50,000 teste diagnostikuese në ditë për të ndihmuar në gjurmimin dhe izolimin e rasteve.
Që nga e mërkura, Britania është duke kryer më pak se 20,000 teste diagnostikuese në ditë, duke humbur një objektiv të mëparshëm prej 25,000 testeve diagnostikuese në ditë nga mesi i muajit prill.
Të dy kompanitë kineze që ofrojnë testet e antitrupave, AllTest Biotech dhe Ëondfo Biotech, të dy thanë se produktet e tyre plotësuan standardet e shëndetit, sigurisë dhe mjedisit të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Zyrtarët e shëndetit publik rishikuan specifikimet në letër, ndërsa Ministria e Jashtme Britanike me shpejtësi dërgoi diplomat në Kinë për të siguruar që kompanitë ekzistonin dhe të ekzaminonin produktet e tyre.
Përfaqësuesit e AllTest dhe Wondfo nuk pranuan të diskutojnë çmimet.
Brenda disa ditësh nga marrëveshja, zyrtarët entuziastë të shëndetit përsëri në Londër ishin duke premtuar se testet e reja do ta hidhnin Britaninë në pararojë të përpjekjeve ndërkombëtare për të, por duket se të gjitha këto rezultuan një dështim i madh.
(E.K/Faxweb.al)