Nga Desada Metaj
Edi Rama ja doli ta shndërrojë datën 30 qershor në një ditë dasie të madhe për shqiptarët. Nga sot, të majtë e të djathtë, të painteresuar për politikën dhe militantë partish e kanë shënuar në kalendar ditën e zgjedhjeve lokale si datën kur, në mos do shkojnë vetë për të votuar, do ruajnë që të shohin se ç’do të bëjnë familjarët, fqinjët apo të afërmit e tyre.
Jo vetëm sepse Kryeministri i vendit ka vendosur t’i zhvillojë zgjedhjet edhe pasi Presidenti anulloi datën 30 qershor.
Për të mbërritur deri në këtë pikë të nxehtë, opozitës iu desh të hiqte dorë nga mandatet, të përballej me gabimet shkatërruese të vendosjes në lista të personazheve qesharakë, dhe të çmontonte në heshtje një proces përzgjedhjeje në lista krejtësisht të gabuara.
Opozitës, veçanërisht PD-së, iu desh të përballej me sfidën e organizimit të protestave të shpeshta, të motivimit të njerëzve dhe mbështetësve që rikthyen frymën e demokratëve që ka qenë (të paktën për PD) më e fortë edhe se vetë funksionimi i strukturave të partisë.
Nga ana tjetër, shumica, e bjerrur nga skandalet e njëpasnjëshme, e lodhur nga intrigat dhe konsumimi i pushtetit dhe e kufizuar vetëm në retorikën shteruese të Edi Ramës, tashmë e gjen forcën vetëm tek kokëfortësia e përcaktimit të një date—datës së zgjedhjeve lokale, e cila në thelb është kaq pa rëndësi në një kohë kur kriza po zgjatet pafundësisht dhe pasojat e saj nuk ndihen më vetëm në mungesën e funksionimit të parlamentit apo administratës, por që po paralizon dhe funksionimin normal të çdo biznesi të madh apo të vogël.
Sigurisht që zhdekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti është nja akt i fortë dhe çoroditës për shumicën që në dalldinë e euforisë së propagandës mendon se takimet e stisura elektorale me regji qendrore mund të balancojnë mungesën e opozitës në zgjedhjet lokale.
Edhe më çoroditës duket vendimi i Kryeministrit Rama për të mos pranuar këtë vendim, që në fakt është hapi i parë konkret drejt çuarjes së shqiptarëve në një ndarje rë madhe. Në ata që do ta pranojnë datën e zgjedhjeve dhe në ata që nuk do jenë kurrsesi dakort.
Ky debat, me ngjyra të theksuara jurisprudence, duket të jetë luks për politikën dhe publicistikën, që vetëm dy ditë më parë diskutonte dhe analizonte bisedat e dy banditëve me kryetarin e Bashkisë Durrës dhe zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie.
Në këtë prizëm, Presidenti Meta me vendimin e tij ndoshta e ka ndihmuar Edi Ramën të dalë nga bataku i debatit me kriminelë dhe shitblerjes së bashkëpunëtorëve, për të nxitur një tjetër zhvillim. Atë të daljes nga kriza me shtyrjen e zgjedhjeve, që për çdo rast do t’i shërbente palëve të kenë kohë në dispozicion për të gjetur zgjidhjen e krizës.
Sado i palëkundur të duket Kryeministri në vendimin e tij për të mos e shtyrë këtë datë, ai dhe bashkëpunëtorët e tij me përvojë e kanë të qartë se çdo mbështetje arrogante e linjës “mos e çaj kokën nga Luli dhe Mona” mund të jetë një shtyrje e krizës me disa ditë, por kurrsesi zgjidhje e saj.
Sikundër edhe ndonjë mbështetje në anglisht nuk mund të zbehë gjuhën vulgare dhe bashkëpunimin e qartë të drejtuesve të mazhorancës me banditë dhe kriminelë.
Në këto rrethana, kur debati ka hyrë në hullinë kushtetuese, kur të gjithë publikisht ose jo do përpiqen të gjejnë argumenta për të dalë nga kriza me gjuhën e sofistikuar të argumentimit juridik është e volitshme për mazhorancën të gjejë një zgjidhje dhe të heqë dorë nga pozicioni arrogant.
Përndryshe mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe pozicionimi i qartë i palëve në konflikt ka pak gjasë të ndryshojë duke thelluar krizën e duke e zhvendosur debatin nga juridik ne vulgaro-politik me “të do vllai”.
Nuk është çudi që Edi Rama ndihet i fuqishëm dhe i gatshëm të shkojë në zgjedhje i bindur dhe me Bindjen se nuk ka forcë në botë ta ndalë revanshin e tij politik. Se me ndihmën e shtuar të prokurorisë dhe mungesës së gjykatave mund dhe të shpallet kryeministër mbret, i gatshëm të sundojë dhe i aq verbër sa të besojë propagandën që sajon vetë për të tjerët.
Por ndoshta i paaftë të gjykojë se ata që e mbajnë sot në pushtet dhe që e karikojnë të instalojë fronin e tij, presin me ankth se çdo të publikojë media gjermane e se mos u del emri në ndonjë përgjim.
Sepse drejtësia e re, që ai e përdor si kartë, është kaq e vjetër dhe e mangët në formim sa mjafton një dalje publike për të fundosur edhe më shumë mitin e reformës në drejtësi.
Se dhe ngjyrat e fushatës së stisur nuk e fshehin dot bojëdaljen e Rilindjes, që po katandiset të mbrojë më çdo kusht një datë zgjedhjesh lokale.
30 qershori ndoshta nuk do të shënohet ndonjëherë në librat e historisë së Shqipërisë, as përgjimet dhe degradimi i një qeverisje në biseda banale me banditë nuk besoj se do të jenë në ndonjë kapitull të posaçëm.
Por që Edi Rama do të përfshihet si kryeministri që e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë dhe që tentoi ta çonte vendin në zgjedhje njëpartike është pak por e sigurt.
Si adhurues i idesë për të qenë pjesë e historisë me çdo kusht, tashmë është momenti i tij për të zgjedhur se në ç’kah të historisë do të përmendet. Për të bërë këtë zgjedhje, atij i ka mbetur fare pak kohë dhe fare pak hapësirë—nëse nuk e kap momentin, fati i tij historik do të vendoset nga të tjerët.