Kryeministri Edi Rama ka dalë për herë të parë në një deklaratë për të mbajtë fjalimin për fitoren e padiskutueshme të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Nga selia rozë, Rama deklaroi se ka ardhur me dorën e shtrirë drejt opozitës, duke u treguar I gatshëm për bashkëpunim.
“Për ne të zgjedhurit nuk mund të ketë nder më të madh. Nuk ka vlerësim më të madh. Mos e dhëntë zoti që këtë besim ta marrim si fushë futbolli, prioriteti ynë i parë duhet të jetë reflektimi se sa kemi për të mësuar në punën tonë në radhë të parë.
Mos qoftë e thënë që konkurentët tanë t’i shohim si armiq të mundur. Ne nuk kemi fituar një kamionat, ata nuk kanë humbur një kampionat. Të gjithëve bashkë na takon ti japim fund politikës së rrahjes së gjoksit dhe drejtimit të gishtit nda tjetri.
Nuk do jetë një lojë kush e ka fajin, por një përpjekje e përbashkët se çfarë duhet të bëjmë për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Ne duhet ta bëjmë më të fortë demokracinë tonë, për ta bërë më njerëzore punën tonë dhe do e nisim me shembullin tonë dhe do shohim se kush është i gatshëm të bëjë të njëjtën gjë.
Dua t’u them udhëheqësve të partive të opozitës se fushata ka mbaruar, qytetarët na kanë uruar dhe e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Është koha të vëmë ata përpara interesave tona politike apo hendeqeve tradicionale të hapura mes nesh. Është koha të vëmë flamurin përbashkues kuq e zi. Është koha të gjejmë forcën e arsyes për të punuar sëbashku.
Motra dhe vëllezër, e ardhmja që duam nuk vjen por arrihet dhe sa më shumë të bashkëpunojmë, në qeveri apo në opozitë, aq më pak e shkuara do jetë problem për Shqipërinë tonë.
Ky besim i madh që më është dhënë e na është dhënë nga kaq shumë njerëz, mesazhet e panumërtta të mbështetjes që kam marrë të djelën nga votues tradicionalë të PD dhe të pavendosur, njerëz të shumtë që kanë ngritur telefonin, më sjellin këtu jo me grushtin e mbledhur por me dorën e shtrirë ndaj opozitës ndaj katër vitet e ardhshme. Unë nuk jam naiv, nuk po ëndërroj asgjë të pamundur. Thjesht mendoj se nëse do ishim pak më shumë shqiptarë, pasardhës të denjë të heronjve të këtij populli dhe pak më pak politikanë, asgjë nuk do ta ndalte dot Shqipërinë për t’u bërë zonja e rëndë.”, tha Rama. (D.D/Shuplaka)