Në një kohë kur kanë kaluar dy muaj nga djegia e mandateve të opozitës, dhe shpresa për zgjidhjen e krizës pritet të vijë nga jashtë, ish-ministri Ylli Manjani ka një tjetër propozim.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Manjani shkruan sot se zgjidhja mund të vijë nëse kryeministri provokon zgjedhje të parakohshme përmes një mocioni besimi, ndësa shton se ndërkombëtarët as që e kanë haberin për atë që ndodh në Shqipëri.
“Ende shpresoj që kriza jonë politike, që ka vënë seriozisht në rrezik demokracinë, të zgjidhet nga vetë ne. Është krejt e thjeshtë: Kryeministri provokon zgjedhje të parakohshme nëpërmjet një mocioni besimi sipas nenit 104 të Kushtetutës.
Kaq duhet! As ndërmjetësim ndërkombëtar (të cilët s’kanë haber nga punët tona) e as tryeza pazaresh. Thjesht një mocion besimi “i dështuar” e çon vendin në zgjedhje.
Nga zgjedhjet dhe vetëm nga zgjedhjet do dalë parlamenti pluralist nga ku fillon të veprojë sistemi demokratik.
E vetmja gjë që kërkon një mirëkuptim është kur do jenë zgjedhjet. Më e arsyeshme është që të bëhen në vjeshtë së bashku me zgjedhjet vendore, të cilat në kushtet aktuale nuk mund të mbahen. Vetëm për kaq nuk mendoj se ka nevojë për cirk ndërkombëtar..”, shkruan ai.
(E.K/FAXWEB.AL)